Diskutimet s'bënë punë, tash fillojnë me publikimin e letrave - NACIONALE

Diskutimet s'bënë punë, tash fillojnë me publikimin e letrave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Greva do të vazhdojë. Kjo tashmë është e ditur, me kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj që një gjë të tillë e konfirmoi gjatë ditës së sotme për Nacionalen.

Përfaqësuesit e sindikalistëve menduan se me t'u takuar me Avokatin e Popullit, mbase do ta gjenin marrëveshjen e shumëpritur, por ja që nuk ndodhi ashtu.

“Nuk ka ndonjë sinjal pozitiv. Dje patëm një taki me Avokatin e Popullit, menduam se do të ketë ndonjë zhvillim. Ai kishte bërë angazhime që të jetë një ndërmjetësues mes palëve. Mesiguri ka biseduar edhe me Qeverinë, nga ato që i tha dje, u kuptua që Qeveria mbetet në të njëjtat qëndrime. Pra nuk është e gatshme të për të lëvizë asnjë milimetër, asnjë angazhim për të dalë nga kjo situatë”, tha Jasharaj për Nacionalen.

Këtë e konfirmuan gjithashtu përmes një komunikate, duke shtuar se kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve kanë vlerësuar se shkresa respektive e Avokatit të Popullit nuk solli asgjë të re, andaj e njëjta do të vazhdojë.

"Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve janë informuar nga anëtarë të Këshillit Grevist të BSPK-së për dy takimet me Avokatin e popullit, që janë mbajtur me iniciativën e tij ,dhe më pas kanë analizuar në detaje shkresën e arritur nga Avokati i popullit. Vlerësimi i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim konludoi në atë se kjo shkresë nuk solli asgjë të re dhe prandaj greva vazhdon. SBASHK nesër do të përgatis një shkresë duke i dhënë përgjigje shkresës dhe të njëjtën do ta adresojë te Avokati i popullit", u tha ndër të tjerash në komunikatë.

Letrat

Kur diskutimet s'bëjnë punë, atëherë provojmë t'i hapim letrat. Kështu ka bërë edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", e parja e arsimit në vend pohoi takimin me Avokatin e Popullit, teksa krah saj ishin edhe bashkëpartiakët Besnik Bislimi e Hekuran Murati.

Megjithatë, edhe në këtë komunikatë, ajo shfrytëzoi rastin ta kritikojë SBAShK-un duke thënë se grevën po e shfrytëzon për objektiv.

Tutje, nuk mungoi as ftesa për nxënësit që nesër t'u kthehen bankave shkollore.

"SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave", tha ndër të tjerash ajo.

Kritika për Osmanin

Në anën tjetër, Rrahman Jasharaj ka hedhur akuza edhe ndaj presidentes Osmani.

Sipas tij, presidentja nuk ka arritur të bëjë asgjë, duke qëndruar kështu nën hijen e Kurtit.

Osmani javë më parë mori një nismë, duke tentuar ta thyej barrikadimin e Qeverisë dhe të SBAShK-ut në lidhje me grevën.

Duke synuar ta luajë rolin e saj kushtetues prej figure unifikuese, Osmani takoi Rrahman Jasharajn, dhe sindikalistët e tjerë me 3 shtator.

E pastaj, kërkoi dialog social, kthim të nxënësve në shkolla, e shqyrtim të ofertës nga sindikalistët.

Lajme të ngjashme