E bujshme: KEK-u thotë se nuk ka kolaps prodhimi, megjithëse po punon veç njësia A3
Megjithëse në komunikatën e KEK-ut, thuhet se aktualisht vetëm njësia A3 është në rregull, ‘nuk ka kolaps prodhimi’.
Korporata Energjetike e Kosovës, ka reaguar lidhur me informacionet se prodhimi i energjisë elektrike është zero, duke thënë se ‘operimi i njësive prodhuese vazhdon normalisht’ dhe se ‘nuk ka kolaps prodhimi’.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) dëshiron të sigurojë opinionin publik se operimi i njësive tona prodhuese vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi” – njofton KEK, megjithëse pas këtij paragrafi, konfirmon problemet e dshumta në të gjitha blloqet si vijon:
“Njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi”.
Më pas, KEK njofton se njësia A3 po operon normalisht, derisa menjëherë pas saj, njofton se njësia B1 nuk po funksionon por ‘pritet të rikthehet Brenda 48 orëve’.
“Njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim”, thotë KEK-u.
A3-shi, sipas KEK-ut, megjithëse ishte ‘pothuajse e pamundur’ të rikthehej, u rikthye nga ndërhyrja e stafit teknik.
“Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt”, njofton KEK.
Njësia B1, është jashtë funksionit por parashikimet janë që ‘të kthehet Brenda 48 orësh’.
“Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, njofton KEK-u dhe në fund, na uron gjithë të mirat: “Gjithë t’mirat”.
KESCO kërkon kursim të energjisë: Krejt energjia elektrike duhet të mbulohet përmes importit
“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit. Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, është thënë në njoftimin e KESCO-së.
KECO ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike.
“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, është thënë në njoftim.
LEXO EDHE: