Dyshime për përfshirjen në vrasjen e bashkëshortes së tij: Shumë reagime pas arrestimit të Naim Murselit
Dy ditë më parë, është vrarë Liridona Murseli në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht për këtë ngjarje u tha se është vrarë nga disa grabitës, por sot është arrestuar si I dyshuar burri i saj, Naim Murseli, ish-pjesëtarë i stafit të Behgjet Pacollit. Në këtë mes është arrestuar edhe një person i dytë, I dyshuar si vrarës, që në media raportohet se ka marrë një shumë të majme për të kryer vrasjen.
Rreth kësaj ngjarje kanë dhënë detaje edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku kanë thënë se janë bastisur dy lokacione në Gjakovë si edhe është sekuestruar arma, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Kjo ngjarje e kobshme ka sjellë edhe reagime të shumta nga personat e ndryshëm në vendin tonë.
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se kushdo që është prapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër, duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal.
Pacolli ka thënë se Liridonën e ka njohur personalisht dhe i njëjti ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale.
“I përgëzoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër ( akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë.” – ka shkruar Pacolli.
Shaban Murseli, babai i Naim Murselit, ka reaguar pasi ky i fundit u arrestua nën dyshimet për përfshirje në vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.
Murseliu përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se kanë anuluar të pamën “për shkaqe familjare”.
“SHOKE DHE MIQE PÈR SHKAQE FAMILJARE ME KEQ ARDHJE E BEJM ANULIMIN E TE PAMES I FALENDEROJE GJITHE PJESNARRJE NE VORRIM.” – ka shkruar ai.
Për vrasjen e Liridonës ka reaguar edhe kreu i AKK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka përfshirë edhe disa ngjarje që kanë ndodhur kohëve të fundit.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar Policinë e Kosovës, hetuesinë dhe Prokurorinë, duke thënë se për rastin e grabitjes në Suharekë, vrasja e vjehrrit nga dhëndri i tij e së fundi rasti i vrasjes së Liridona Murselit, janë zbardhur shpejtë.
“Falënderues ndaj Policisë së Kosovës, hetuesve dhe Prokurorisë për zbardhjen e shpejtë të këtyre akteve kriminale!” – ka shkruar Haradinaj.
Për vrasjen e Liridona Murselit, që dyshohet se e vrau bashkëshorti i saj, ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
“Sa dhimbje e trishtim për Liridonën. Jam pa fjalë.” - ka shkruar Çitaku.
Nga ana tjetër, aktivistja Zana Avdiu, ka reaguar në lidhje me arrestimin e Naim Murselit, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Murselit.
Avdiu me anë të një postimi në Facebook, ka shkruar për dhunën e përhapur ndaj grave në shoqërinë kosovare.
Tutje, ajo tha se nuk ka krim të përkryer.
“Liridona Murseli dyshohet se u vra nga burri u saj. Ai paska inskenuar krejt ngjarjen e plaçkitjes, vetem per ta vrare gruan. Kaq shume dhune e brutalitet ndaj grave, ne nje vend kaq te vogel!” – ka shkruar Avdiu ndër të tjera.


