"Dorëzohen" mjekët e Ortopedisë në QKUK, i japin nënshkrimet për shërimin e 12-vjeçares - NACIONALE

"Dorëzohen" mjekët e Ortopedisë në QKUK, i japin nënshkrimet për shërimin e 12-vjeçares

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Nëna nga Obliqi kishte muaj që po kërkonte një dokument nga mjekët e Klinikës së Ortopedisë së QKUK-së. Përmes nënshkrimeve të këtyre mjekëve, Vahide Morina do të mundte që vajzën e saj 12-vjeçare, e cila ka shumë probleme shëndetësore, ta çonte për trajtim jashtë Kosovës. Kjo ngase ilaç për sëmundjen e saj nuk ka në Kosovë. Mjekët kanë refuzuar që gjashtë muaj t’i lëshojnë një dokument të tillë. E u desh që mediet të shkruanin për këtë rast. Si rrjedhojë, pas shumë polemikave, mjekët e Ortopedisë u dorëzuan. Nga një rast që nuk ka të bëjë me asnjë urgjencë mjekësore, tash rastin e cilësuan me PRIORITET të trajtimit. 12-vjeçarja shpejt do të niset drejt Turqisë për trajtim. Nacionale jua sjellë hollësitë e reja për këtë rast.

Për gjashtë muaj, nëna nga Obiliqi, Vahide Mehmeti, është endur korridoreve të Klinikës së Ortopedisë së QKUK-së. Ajo nga mjekët e kësaj klinike i kërkonte nënshkrimet përmes së cilave do të mund ta dërgonte vajzën e saj 12-vjeçare për trajtim jashtë vendit. Vogëlushja vuan nga një sëmundje e eshtrave. E gjendja shëndetësore e saj po përkeqësohej dita-ditës. Nënshkrimet mjekët e Ortopedisë refuzonin t’ia jepnin, edhe pse nuk kishin kushte e as staf mjekësor për ta futur në operim 12-vjeçaren.

Për këtë rast shkroi gazeta Nacionale, e cila e mori rrëfimin e nënës së 12-vjeçares për sfidat me të cilat ajo ballafaqohej për marrjen e këtij dokumenti.

Operacionin e parë për këtë sëmundje e kemi bo në Turqi. Këta vetë (mjekët e QKUK-së) më kanë udhëzu me e çu jashtë vendit. Tash, për ni letër për operacionin e dytë me ia ba vajzës, unë që gjashtë muaj vi këtu. Jo, hajde nesër, jo mas ni jave. Edhe qe, shkuan gjashtë muaj. Para operacionit të parë, vajza u kanë shumë keq, pas operacionit, vajza 25 centimetra është zgjatë çika jeme”- i tha të martën Nacionales nëna e pacientes në fjalë.

E pas publikimit të shkrimit reaguan nga Klinika e Ortopedisë së QKUK-së. Në reagimin e së mërkurës nga kjo klinikë thanë se pacientja në fjalë, pra 12-vjeçarja, është një rast efektiv, i planifikuar për vizita ambulatore dhe nuk ka të bëjë me asnjë urgjencë mjekësore dhe e akuzuan familjen se nuk ua kishte dhënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm për vajzën.

Por të enjten mjekët e Ortopedisë, si duket, ndërruan mendje. Nga një rast që nuk ka nevojë për urgjencë për trajtim, tash thanë se ky rast duhet të trajtohet me PRIORITET.

Pra pacientes në fjalë iu dhanë më në fund nënshkrimet për trajtim jashtë vendit.

“Rekomandohet për intervenim jashtë QKUK) për zgjatje të shufrës në anën e kockave të lakeses skoliotike, me qëllim të korrigjimit të lakesës gjatë rritjes së fëmijës), sipas indikacionave nga institucioni ku është bërë ndërhyrja në Turqi. ME PRIORITET”- thuhet në letrën e raportit konzilor për trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, të lëshuar nga mjekët e Klinikës së Ortopedisë së QKUK-së.

Nacionale e ka siguruar dokumentin për këtë rast.

Çka ka raportuar Nacionale për këtë rast?

Ka muaj që e viziton Klinikën e Ortopedisë së QKUK-së. Vahide Mehmeti në këtë klinikë ka vetëm një punë. Një letër i duhet asaj që jeta e vajzës së saj 12-vjeçare të përmirësohet. Vajza e Vahides ka nevojë për trajtim jashtë vendit, ngase që nga lindja vuan nga një sëmundje shumë specifike. E mjekët e QKUK-së po bëjnë hajgare me jetën e saj e të vajzës, duke mos ia ofruar dokumentin për trajtim. Thirrjeve të gazetës për të kërkuar shpjegime nuk iu përgjigjën as mjekët e kësaj klinike. As në zyrën e tyre mjekët nuk ishin aty në momentin kur ne i kërkuam.

Në temperatura minus, në borë e ngrica, në këmbë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë, Vahide Mehmeti, bashkë me vajzën e saj 12-vjeçare, mori rrugë të martën drejt Klinikës së Ortopedisë të QKUK-së.

Ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore të vajzës, Vahidja po detyrohet që këtë rrugë ta marrë shpesh. Jo për t’ia gjetur ilaçin vajzës së saj, ngase ilaç ajo në QKUK nuk ka, por për të marrë një letër përmes së cilës do të mundte që vajzën ta drejtonte për trajtim jashtë Kosovës- saktësisht në Turqi.

Sidoqoftë, letrën me të cilën i mundësohet trajtimi jashtë vendit, Vahidja po e ka të pamundur që ta marrë nga mjekët e QKUK-së. Ata po refuzojnë kategorikisht që t’ia japin asaj letrën. Kërkojnë dokumentacion shtesë.

Sëmundja nga e cila vuan 12-vjeçarja

Në të paktën dy dokumente të lëshuara nga mjekët e QKUK-së, parapëlqehet që trajtimi i vajzës 12-vjeçare të bëhet jashtë shtetit.

Për Nacionalen, nëna e 12-vjeçares shpjegon për sëmundjen e vajzës dhe vështirësitë për ta marrë dokumentin për trajtim jashtë vendit.

"Vajza ime vuan nga shumë diagnoza. E ka sëmundjen Pierpont. Ka probleme me sy, me veshë. Nuk është e zhvillune në tru sa duhet, nuk është e zhvillune në trup, ashtu qysh edhe po shihet. Vajza ime u bë operacion nga skolioza. Vajza ime më 2021 është ba operacion prej skoliozës dhe prej kukave. Operacioni ka shku mirë. Është ba në Turqi dhe ka zgjatë 11 orë e gjysmë. Tash vajza ka fillu me u zgjatë, por mjekët kanë thanë që tash duhet me e bo patjetër operacion për me e ba zgjatjen e soliozës. Vajza ime që 12 vjet ma shumë ka mbetë në spitale sesa në shpi të vet”- shpjegon për gjendjen shëndetësore të vajzës së saj Vahidja.

Gjashtë muaj për një nënshkrim!

Në vitin 2021, Vahidja e ka operuar vajzën në Turqi. Thotë se operacioni ka treguar përmirësim të dukshëm të gjendjes së vajzës 12-vjeçare.

Operacionin e parë për këtë sëmundje e kemi bo në Turqi. Këta vetë (mjekët e QKUK-së) më kanë udhëzu me e çu jashtë vendit. Tash, për ni letër për operacionin e dytë me ia ba vajzës, unë që gjashtë muaj vi këtu. Jo, hajde nesër, jo mas ni jave. Edhe qe, shkuan gjashtë muaj. Para operacionit të parë, vajza u kanë shumë keq, pas operacionit, vajza 25 centimetra është zgjatë çika jeme”- thotë ajo.

Por gjendja shëndetësore e 12-vjeçares tash ka nisur të përkeqësohet.

Po tash kanë nisë problemet, ka nisë problemi me kukën, se ka nisë me iu laku shpina, kamët kanë nisë me iu laku. Krejt shkaktare është sëmundja. Unë vajzën e kam kontrollu te Dr. Ceni (Cen Bytyqi), por tash ai ka dalë në pension, për fatin tim të keq. Tash kontrollet po ia vazhdoj te Dr. Dafina Bytyqi. Ajo ma ka dhanë raportin për me shku jashtë vendit. Më kanë thanë që me shku te Dr. Xhavit Gashi”- thotë kjo nënë.

E ajo shpjegon se cili mjek s’po ia jep këtë nënshkrim.

Kur kam shku te dr. Xhaviti, i tregova për hallin tim. M'i kërkoi dokumentet. I tregova që e kam kontrollu te Dr. Ceni. Më tha që nuk i lexon dokumentet e tij. Unë i thashë që i kam CT-të e vajzës, tha: "Jo, s'ka nevojë". I tregova që edhe Dr. Dafina më ka rekomandu. As atë ditë nuk më ka marrë parasysh. Më tha që i kërkon raportet prej Turqisë se çka kanë ba e çka kanë me ba. Ia solla raportin e mjekëve të Turqisë. Më tha: "Jo, duhet tash tjetër raport. Unë e thirra sërish spitalin, ata më thanë kështu: Nuk e kemi na ndërmend atij doktorit tand me i dhanë shkollë". Unë Xhavitit desha me ia kallxu gjendjen e vajzës, me ia hek jaknën vajzës e me pa ai. E as që ka dashtë me e pa. Unë hala jam në kredi për vajzën që e kam çu herën e kalune. Është tepër e dhimbshme për mu me e pa vajzen kështu. Unë kam probleme me depresion”- rrëfen ajo.

Gazeta Nacionale është përpjekur që të marrë një deklaratë nga drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica, sa i përket këtij problemi, por ai nuk ka qenë i qasshëm as në telefon e as në zyrën e tij në Klinikën e Ortopedisë.

Bashkë me nënën e kërkuam edhe mjekun Xhavit Gashi, por as ai nuk ishte në klinikë rreth orës 14:00, kur ne qëndruam në Ortopedinë e QKUK-së.

Lajme të ngjashme