Policia: Disa të lënduar pas gjuajtjes me armë zjarri në Prishtinë, janë identifikuar dy persona të përfshirë
E PËRDITËSUAR 00:57 - Policia e Kosovës ka konfirmuar gjuajtjen me armë zjarri në një lokal në Prishtinë, rast ky që ka ndodhur rreth orës 23:30 .
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i ka thënë Nacionales se nga informacionet e para dyshohet se personat janë lënduar nga arma e zjarrit, por edhe nga “fragmente qelqi”.
Megjithatë, policia nuk ka bërë të ditur se sa persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e këtij rasti.
“Rreth orës 23:30, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën "Rexhep Luci" në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi.” – ka thënë ai.
Po ashtu, Borovci ka konfirmuar se të lënduarit janë dërguar për trajtim dhe se rasti po hetohet.
Në fund Policia ka bërë të ditur se dy persona të dyshuar janë identifikuar si të përfshirë në rast, derisa është duke u punuar edhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë:
"Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm."
Të paktën tre persona dyshohet se kanë mbetur të plagosur pas gjuajtjes me armë zjarri në Prishtnë, mëson Nacionale nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, media të ndryshme vendore kanë raportuar edhe për më shumë.
Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në lokalin “Bon Vivant” në qendër të kryeqytetit.
Nacionale ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka marrë vesh se bëhet fjalë për të paktën tre persona të plagosur, derisa janë parë edhe dy vetura të ambulancës.
Po ashtu, janë parë edhe shumë zyrtarë policorë të cilët po merren me rastin.
Nacionale ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku duket një numër i madh i personave i mbledhur.
Ndërkohë, mediumi ynë ka kontaktuar policinë e Kosovës rreth rastit, por deri në këto momente nuk janë përgjigjur.
