Dhuna ndaj të moshuarës, Tërnava: Na la të gjithëve të shtangur - NACIONALE

Dhuna ndaj të moshuarës, Tërnava: Na la të gjithëve të shtangur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar ndaj videos ku në një institucion të kujdesit shfaqet dhunë ndaj një të moshuarve, e cila është nënë e një dëshmori.

Përmes një deklarate për medie, Tërnava ka dënuar dhunën, duke thënë se është shtangur nga pamjet e videos.

Dhe në shenjë mëshire, shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im! mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.’ (El-Isra, 24) Publikimi i pamjeve të dhunimit të një të moshuare në një institucion kujdesi për të moshuarit, na la të gjithëve të shtangur e me një shije të hidhur pezmi e indinjate. Dhuna ndaj kujtdo qoftë është e papranueshme, e aq më tepër ndaj një të moshuare, një nëne a një gjysheje, e cila në rrethanat në të cilat e ka përplasur jeta ka përfunduar në atë institucion. E kemi për detyrë e obligim, e kemi farz para Zotit, para shoqërisë, e për të mirën e pasardhësve, që ta arsimojmë e edukojmë shoqërinë, të kultivojmë ahlak, mirësi, mirëkuptim e ngrohtësi. Një shoqërie të arsimuar apo një brezi të arsimuar gjithsesi se i duhen edhe ndërgjegjja, ndjesia shpirtërore, ndjesia për familjen, komunitetin e shoqërinë”, ka thënë Tërnava.

Ai ka thënë se shoqëria duhet të iu kthehet familjes dhe edukimit të brezave të rinj.

Pa dashur që të zgjatem, dua të them se nëse duam një shoqëri të edukuar e me ndjesi e përgjegjësi, siç na ka mësuar Krijuesi ynë, me profesionalizëm të përgjegjshëm e me ndërgjegje e korrektësi, nevojitet që t’i kthehemi familjeve, fëmijëve e komuniteteve tona, që t’i mësojmë në shtëpitë, shkollat e xhamitë tona, se si praktikisht duhen respektuar e dashur ata, se si duhet të jemi të mëshirshëm e zemërmirë ndaj tyre, gjithnjë duke kultivuar e forcuar besimin në Krijuesin e gjithësisë. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë e të angazhohemi për edukimin e shoqërisë”, ka thënë Tërnava.

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar dje nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.

Lajme të ngjashme