Dhuna: Kërkohet që politikanët të përdorin fjalor më të butë për të ulur dhunën ndaj grave në shoqëri - NACIONALE

Dhuna: Kërkohet që politikanët të përdorin fjalor më të butë për të ulur dhunën ndaj grave në shoqëri

1 vit më parë

nga NACIONALE

2 tetori njihet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës. Vetëm në periudhën janar–korrik të vitit 2022 Kosova numëron hiç më pak se 1 mijë e 574 raste të dhunës në familje.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Nacionalen ka deklaruar se rastet e dhunës janë më të ndjeshme dhe se qasja e tyre karshi rasteve të dhunës në familje është parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet në tjetrën.

“Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme,” - thuhet në përgjigjen e dhënë nga PK.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në vazhdimësi kanë bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe për t’i trajtuar më pas rastet e dhunës në familje. Por, çka saktësisht nënkupton kjo?

“Policia ka përdorur forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla,” - thuhet tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës në një pronocim për Nacionalen ka deklaruar se zanafilla e çdo veprimi pasues në adoleshence është nga femijëria përkatesisht nga edukimi jo i duhur, duke pasuar mungesën e komunikimit pozitiv, sjellja e mëparshme agresive, të qenit viktimë e abuzimit fizik apo seksual, ekspozimi ndaj dhunës, duke qenë viktimë e ngacmimit etj.

“Për këto arsye praktikat e edukimit dhe rritjes janë çelësi. Nëse prindërit nuk i rritin fëmijët me një ndjesi respekti dhe përgjegjësie, është shumë e lehtë për fëmijët që të angazhohen në sjellje agresive. Nëse prindërit kanë qënë të dhunshëm kur fëmijët kanë qënë të vegjël, shanset e rritjes së sjelljeve agresive tek fëmija janë më të mëdha,” - ka deklaruar ai.

Havolli ka deklaruar se rëndësi të veqantë në trajtimin e këtyre rasteve ka hartimi i politikave parandaluese të cilat janë efikase në uljen graduale.

Ai gjithashtu ka sugjeruar edhe politikanët që të mos përdorin fjalë fyese para mediave

“Sugjerimin për liderët tanë që të mos përdorin fjalime frikësuese, sjellje, fyerje e sharje para mediave gjatë seancave parlamentare apo prononcimeve të tyre, sepse ata ndiqen nga popullata, dhe kjo gjë ndikon në rritjen e frikës, ankthit, akumulimit të energjisë negative deri në një shpërthim dhune,” - ka përfunduar Havolli.

Profesori i Sociologjisë, Jeton Brajshori, ka deklaruar për Nacionalen se rastet e dhunës nuk janë shtuar, por që sipas tij denoncimet e dhunës janë shtuar .

“Së pari unë mendoj se rastet e dhunës nuk janë shtuar, por që denoncimet e dhunuesëve janë shtuar, sepse nëse i referohemi statistikave botërore, 85% e rasteve të dhunë qoftë fizike apo seksuale nuk lajmërohen, për shkak të arsyeve të ndryshme e më së shumti nuk lajmërohen nga frika e stigmatizimit të shoqërisë. Në të gjitha këto ngjarje të shëmtuara është pozitive se personat e dhunuar nuk po hezitojnë të denoncojnë dhunuesit në këtë mënyrë po e shpëtojnë veten dhe personat tjerë të cilat do të ishin viktimat e radhës!” - ka thënë Brajshori.

Tutje ai ka potencuar se shteti nuk është duke u marrë seriozisht me këto ngjarje dhe sipas tij kemi vetëm reagime të rasit të cilat po harrohen shpejt.

“Shteti funksional do të duhet që të shtoj më shumë punëtorë social, psikologë, sociologë, strehimore të sigurta për personat e dhunur ndërsa ne si shoqëri e kemi obligim moral t’i inkorporojmë në shoqëri dhe të ju ndihmojmë t’i kalojnë traumat sa më lehtë,” - ka thënë ai.

Profesori i Sociologjisë po ashtu ka thënë se shoqëria civile duhet të kërkoj llogari nga prokuroria dhe gjykata për moskryerjen e punëve si duhet, pasi që sipas tij nga rastet e fundit shumica e dhunuesve kanë qenë persona recidivistë.

“Duhet secili nga ne të punoj duke filluar nga familja e tutje në mënyrë që kjo shëmti të zvoglohet sa më shumë,” - ka përfunduar Brajshori.

Lajme të ngjashme