Çudit ministri Latifi: Askush nuk po e di sa është borxhi i fondit
“Askush nuk është duke e ditur se sa është borxhi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, kështu po deklaron personi i cili po e udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, doktori Rifat Latifi.
Latifi në Komisionin për Shëndetësi ka thënë se sipas të dhënave që i kanë në MSH, borxhi është rreth 10-12 milionë euro.
“Dikush thotë se borxhi është 25 milionë euro, e dikush tjetër thotë 28 milionë. Ne në ministri të dhënat i kemi 10-12 milionë. Edhe me këtë çështje po merremi”, ka deklaruar Latifi.
Tutje Latifi në këtë komision ka folur edhe për rritjen e buxhetit për Shëndetësi si dhe për idenë e tij për transformimin e shëndetësisë kosovare.
Duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për aktivitetet e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë dhe aktualitetet e zhvillimeve të fundit në shëndetësinë e vendit, Latifi ka thënë se prioritet po i japin infrastrukturës spitalore dhe procesit të akreditimit të spitaleve.
“Atyre që punojnë në kujdesin parësor, kjo ministri do t’i kushtojë kujdesin më të madh të mundshëm. 6 muaj kemi qenë të ngarkuar me shumë punë. Po punojmë në shumë rrugë në çështjen e legjislacionit që i kemi 6 ligje. Ne nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës, sepse është shërbimi i emergjencës. Po merremi me legjislacionin dhe mirëqenien e mjekëve. Neve na duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve. Po punojmë edhe ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi obligim me u marrë me shëndetësi, dhe kjo qeveri e ka bërë prioritet”, tha ai.
Latifi ka thënë se teksa ka vizituar një Klinikë në QKUK, ka vërejtur mungesë të stafit teknik.
“Rritja e buxhetit të shëndetësisë, funksionalizimi i sistemeve të sigurimeve shëndetësore, detyrimi me ligj për përdorimin e protokolleve në nivel kombëtar, janë disa nga prioritetet tona. Sot kam qenë në Onkologji dhe çdo ditë vizitojë klinika, dhe kam vërejtur se kësaj Klinike i mungon stafi teknik”, ka thënë Latifi.