Çka dihet për rastin në Lipjan ku mbetën të vdekur tre persona? - NACIONALE

Çka dihet për rastin në Lipjan ku mbetën të vdekur tre persona?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre persona kanë mbetur të vdekur pasditen e së premtes në fshatin Rufc të Lipjanit. Sipas informacioneve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, dyshohet se dy persona u vranë nga një tjetër, i cili më pas kreu edhe vetëvrasje. Tashmë, është konfirmuar se viktimat kanë qenë familjarë mes vete.

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria konfirmoi për Nacionalen se tre persona kanë vdekur në Lipjan, derisa rasti po hetohet ende.

Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti. Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes).” – tha Laureta Ulaj, zëdhënse e Prokurorisë.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se trupat e pajetë do të dërgohen në IML për obduksion.

Trupat e pajetë, me urdhër të Prokurores së Shtetit do të dërgohen në IML për obduksion, derisa veprimet hetimore do të vazhdojnë deri në zbardhjen e rastit në plotëni.” – ka përfunduar Ulaj.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes qëndruan edhe gazetarët e Nacionales, Vullnet Krasniqi e Anita Nikaj të cilët sipas informacioneve që kanë marrë nga terreni, dyshohet tre anëtarë të një familje, babai, nëna dhe i biri kanë mbetur të vdekur.

Ndërkohë që nuk dihen shumë detaje, Nacionale mësoi se njëri nga viktimat, djali i çiftit ka pasur probleme shëndetësore.

Po ashtu, familja ka pasur edhe dy djem të tjerë.

Deri më tani, rrethanat e këtij rasti mbeten të paditura.

Rastin ndërkaq, e konfirmoi edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i tha Nacionales se ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 16:30.

Rreth orës 16:30 policia ka pranuar informatën për tre persona të pajetë në fshatin Rufc të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku janë hasur tre trupa të pajetë. Vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor. Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen.” – ka bërë të ditur Ahmeti

Lajme të ngjashme