Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin
Pas 30 ditësh agjërimi gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën sot festojnë Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam.
Manifestimi qendror me rastin e Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku besimtarë të shumtë janë mbledhur për të shënuar këtë ditë të veçantë në frymën e lutjes, paqes dhe solidaritetit.
Në këtë festë, e cila vjen pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektim, përcillen mesazhe harmonie dhe afërsie.
Në mesazhin e tij për festën e Bajramit, Myftiu Naim Tërnava bëri thirrje për më shumë solidaritet, ndihmë për familjet në nevojë dhe forcim të lidhjeve mes njerëzve, duke porositur besimtarët që rrugën e mirësisë dhe përkushtimit ta vazhdojnë edhe pas Ramazanit.

Sipas Myftiut Naim Tërnava, vendi dhe shoqëria kanë nevojë për më shumë maturi në jetën politike, për një kulturë më të zhvilluar dialogu dhe për një ndjenjë më të lartë përgjegjësie ndaj interesit publik.
Ai shtoi se në periudha të rëndësishme për vendin, bartësit e institucioneve dhe vendimmarrësit duhet të tregojnë urtësi, përmbajtje dhe gatishmëri për të vënë interesin e përgjithshëm mbi kalkulimet e ngushta politike.
“Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë maturi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik. Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë, por edhe për momentet kur përgjegjësia është marrë. Lutemi Zotit që të na bekojë me maturi dhe drejtësi, që të jemi në nivel të përgjegjësisë që mbajmë për të ardhmen e vendit dhe kombit, qoftë si individë apo si shoqëri. Zoti i Madhërishëm na bëftë prej atyre që ndërtojnë ura të forta, rini të shëndoshë dhe një shoqëri me besim në vete dhe dashuri për atdheun.”, tha Myftiu Tërnava.