Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin - NACIONALE

Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pas 30 ditësh agjërimi, besimtarët myslimanë me përfundimin e Ramazanit, sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit.

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës.

Në fjalen e tij në Xhaminë e Madhe, myftiu Tërnava tha se sot duhet të lutemi për shëndet e solidaritet.

"Në shenjë të kësaj zoti thotë ‘vetëm mirësisë së zotit dhe mëshirës së tij le t’i gëzohen’. Le t’i gëzohemi kësaj dite duke uruar e vizituar njëri-tjetrin për këtë festë. Të lutemi për shëndet e mirëqenie, solidaritet e siguri, duke u lutur që zoti mos të na ndajë asnjëherë nga mëshira e tij."

Ai më pas foli për rolin e familjes, duket kjo si fjalë pas debateve të fundit lidhur me shëndetin riprodhues.

“Botërisht është i njohur qëndrimi i islamit për shumimin e njerëzve. Zoti krijoji Ademin dhe Havan, babanë dhe nënën e njerëzimit, prej tyre pastaj mundësoi shumimin e krijimin e familjeve, fiseve e popujve të ndryshëm”

“Familja është element kyç dhe i parë ndërtues, bërthama bazë e formimit të një shoqërie. Mirëqenia e saj nënkupton mirëqenien e gjithë shoqërisë. Feja jonë islame i ka kushtuar vëmendje të madhe familjes. Familja kërkon lumturinë dhe stabilitetin. Ndërton jetën e saj mbi themelet e forta. Shtyllë themelore e strukturës shoqërore”, tha ai.

"Kushdo prej nesh që përcjell diskutimet e debateve të fundit për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh këto përpjekje bien në ndeshje me identitetin fenë, e ligjet morale. Përpjekjet janë për shkatërrimin e familjes. Zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull. Synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja për familjen", tha ai.

"Si Bashkësi Islame e Kosovës jemi të shqetësuar me numrin e vrasjeve e vetëvrasjeve. Zoti thotë ‘ai që ka vrarë një njeri është sikur ta ketë vrarë krejt njerëzimin’. Kërkohet nga ne të mobilizohemi duke përfshirë të gjitha mekanizmat në parandalimin e këtyre dukurive. Nëse qëndrojmë pasiv, vetëvrasjet e vrasjes mes nesh do të jenë fatale për ardhmërinë tonë"

Në Bashkësinë Islame të Kosovës gjatë ditës do të bëhet edhe pritja e zakonshme për liderët institucionalë e fetarë.

Urimi i Myftiut

Ditën e djeshme, myftiu Tërnava mbajti një konferencë për media. Ai tha se Fitër Bajrami është mundësi për të forcuar lidhjet familjare.

“Gjatë festës së Bajramit, fryma e fqinjësisë zgjerohet dhe shtrihet e bëhet sikur tërë shoqëria të jetonte brenda një shtëpie në të cilën arrihet vëllazëria në kuptimin e saj praktik, tiparet dalin në formën e tyre natyrore dhe emocionet dhe prirjet dalin ashtu siç janë. Është një arenë për garë në kërkimin e veprave të mira. Fitër Bajrami është një mundësi për të mbajtur dhe forcuar edhe më shumë lidhjet familjare, duke treguar dashurinë, respektin dhe dhembshurinë mes tyre, gjëra këto që forcojnë unitetin ndërmjet familjeve dhe shoqërisë”, tha Tërnava dje në konferencë.

“Andaj duhet bërë edhe më shumë që këto festa t’i festojmë si është më së miri, të mos zbehim festat tona nga bukuria e tyre fetare e kombëtare, t’ju falim atyre kuptimin shpirtëror edhe më të madh, shkëlqim e dritë vëllazërore. Festa e Fitër Bajramit ka për qëllim formimin e një shoqërie të lumtur e të ndërgjegjshme, e cila edhe gjatë ditëve të festave ngrihet në majat më të larta, ku ajo shfaqet kohezive, bashkëpunuese dhe e dhembshur në mes besimtarëve, deri në pikën ku çdo zemër të rrah me dashuri, drejtësi e mëshirë”, tha myftiu.

“Gëzimi dhe lumturia janë të dukshme në fytyrat dhe zemrat e të gjithë besimtarëve gjatë ditëve të Fitër Bajramit, është nder i madh prej Zotit që ua mundësojë të gjithë atyre që agjëruan Ramazanin, adhuruan Zotin xh.sh., u solidarizuan me të varfrit, ndihmuan njerëzit nevojtarë, krijuan harmoni familjare brenda familjes, ruajtën krenarinë për fenë dhe atdheun, kaluan çdo sfidë vetëm për ta kënaqur Krijuesin, ngase në këtë mënyrë zemrat tona janë më afër Zotit dhe do të shpërblehen me begati të shumta prej Zotit të Madhërishëm”, deklaroi Naim Tërnava.

Lajme të ngjashme