Behrami: Nëse dështojnë zgjedhjet e 18 dhjetorit, do të jetë fitore për Serbinë
Presidenca përmes një komunikate ka njoftuar se 18 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore.
Në lidhje më këtë, analisti Artan Behrami ka shkruar një status, përmes të cilit, ka thënë se nëse Kosova deshton t’i organizojë zgjedhjet në veri, Osmani dhe Kurti do t’ia dhurojnë Serbisë fitoren e radhës.
“Nëse Kosova nuk mund të organizojë zgjedhje në veri më 18 dhjetor, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti do t’ia dhurojnë Serbisë fitoren e radhës” ka shkruar Behrami.
Ndërsa, sot kryetari i Partisë Demokratike Progresive dhe njëherit politikani serb i moderuar në Kosovë, Nenad Rashiq ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte mund të sjellë tensione dhe përshkallëzim të situatës në veri.
“Unë isha pak më i theksuar se kolegu im, duke thënë se kushte për zgjedhje nuk ka. Pra zgjedhjet si të tilla mund që të përdoren për ngritjen eventuale të tensioneve, konflikteve, incidente dhe për përshkallëzim të disa veprimeve të padëshiruara dhe dhunës”, tha ai.