Bajqinovci i VV-së, Avdullah Hotit: "Duhet ta mësosh ngapak Lumir Abdixhikun"
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook në të cilin ka sulmuar ish kryeministrin Avdullah Hoti.
Hoti më herët gjatë mëngjesit akuzoi pushtetin se nuk po ofronte transparencë në lidhje me planin franko-gjerman.
Bajqinovci thotë se kjo ankesë e Hotit “me siguri” është bërë ndaj liderit të tij partiak, Lumir Abdixhikut, pasi ai nuk kishte shkuar në takimin e ftuar nga Kurti.
“Avdulla, mos i drejto Lumirit vetëm ankesa, duhet edhe ta mësosh ngapak!” – ka shkruar z. Bajqinovci në profilin e tij në Facebook.
Në fakt, ish kryeministri Hoti kishte kërkuar që debati për propozimin franko-gjerman të dërgohej në Kuvend për diskutim.
“Deri tani kemi parë zero transparencë nga Qeveria ndaj Kuvendit të Kosovës, si dhe publikut në përgjithësi, për propozimin franko-gjerman... Është e domosdoshme që debati formal mes forcave politike për dialogun të zhvillohet në Kuvend. Vetëm kështu (1) sigurohet transparenca ndaj publikut, (2) përmbushet obligimi kushtetues për raportim dhe (3) ndërtohet konsensusi politik e shoqëror.” – tha z. Hoti në profilin e tij në Facebook.
Takimi i thirrur nga Kurti ndërkohë ishte në nivel liderësh, pasi përveç Abdixhikut ishte thirrur edhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj. Asnjëri prej tyre nuk është shef i grupeve parlamentare respektive.
Duket se z. Bajqinovci nuk e ka kuptuar ankesën e z. Hoti.
