“Avvenire” sjell rrëfime të serbëve dhe shqiptarëve: “S`kam shokë shqiptarë dhe s`dua të kem” - NACIONALE

“Avvenire” sjell rrëfime të serbëve dhe shqiptarëve: “S`kam shokë shqiptarë dhe s`dua të kem”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur italiane, “Avvenire”, ka shkruar për bashkëjetesën ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Në një artikull të gjatë me titull “Në mesin e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, atje ku lufta nuk ka përfunduar kurrë”, kjo gazetë ka sjellë histori të të rinjve të dy etnive.

Në rrëfimet e tyre, të rinjtë shqiptarë dhe serbë tregojnë për miqësitë dhe vështirësitë që i kanë.

“Nuk kam asnjë mik serb. Përkundrazi, nuk njoh qoftë edhe një serb të vetëm. Serbët kanë shkolla tjera prej nesh. Jetojnë të ndarë në vendbanimet e tyre. Tri kilometra nga këtu është njëri prej vendbanimeve me shumicë serbe (i referohet Graçanicës), ku mësojnë në serbishte dhe ku janë të pranishëm edhe flamujt e tyre. Kanë kaluar disa vite, por nëse ua përmend prindërve të mi luftën, fillojnë të qajnë me automatizëm. Ndërkohë për serbët, Kosova vijon të jetë pjesë integrale e Serbisë”- ka deklaruar Ajna, vajzë 16-vjeçe e etnisë shqiptare nga Prishtina.

Elioni, bashkëmoshatar i Ajnës, ulur afër saj, ndërhyn dhe shton: “Jemi një gjeneratë tjetër. Do ta arrijmë paqen”- shkruan gazeta italiane.

Kurse Zana Arapi Xheladini nga Prizreni e ka rrëfyer përvojën e saj në projektin “How do I see you”, që është promovuar nga “Doku Fest”-i dhe nga “Slobodna Zona” e Beogradit, me qëllim të socializimit të dy etnive brenda një jave.

Ajo ka treguar për miqësitë që janë lidhur në këtë festival.

“Nga Serbia, disa të rinj kanë marrë pjesë pa ndonjë problem, por jo edhe serbët e Kosovës. Të rinjtë serbë në Kosovë janë vërtet të izoluar. Gjatë ditës së parë, kur janë së bashku pjesëmarrësit, zakonisht qëndrojnë të heshtur. Pastaj e fillojnë ndërveprimin mes tyre, duke komunikuar në gjuhën angleze. Kemi qenë dëshmitarë se si janë ndërtuar miqësi që kanë zgjatur shumë kohë. Njashtu, në fund e kuptojnë tej mase se sa është e rëndësishme të shohësh vetë personalisht se si qëndrojnë gjërat, pa rënë pre e paragjykimeve mes komuniteteve”- është shprehur Zana.

Edhe Miodgrad Miliçeviqi nga organizata joqeveritare “ONG” me seli në Mitrovicën e Veriut e ka treguar historinë e tij. “Mitrovica është e vetmja hapësirë urbane multietnike e njëmendtë në Kosovë. Në qytetet e tjera mund të rastisësh në shumë pak serbë dhe kurrë nuk ekziston një ndërveprim gjenial mes shumicës dhe pakicës. Këtu, në atë që njihet si “Lagjja e Boshnjakëve”, ka një ndarje të hapësirave të dyqaneve (duke iu referuar faktit se ka dyqane që kanë titullarë shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe nga etnitë e tjera). Distanca mes dy komuniteteve në Kosovë po rritet. Të rinjtë mezi ndërtojnë kontakte mes vete dhe gjithmonë në aktivitete të ONG-së si e jona. Pra vetëm artificialisht. Mungon një socializim i përditshëm autentik”- ka thënë Miliçeviqi.

Ndërsa Pavle, student 17 vjeç i etnisë serbe në Mitrovicën e Veriut, flet për Mitrovicën e Jugut dhe si e sheh ai Kosovën.

“Kam vajtur vetëm një herë (në Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare). Më shpesh shkojmë në Serbi. Për afro katër orë mbërrijmë në Beograd. Nuk kam shokë shqiptarë dhe as që dua të kem. Ne serbët e dëshirojmë vetëm paqen dhe dëshirojmë që të na kthehet toka jonë. Për mua, kjo është Serbi”- është shprehur ai.

Lajme të ngjashme