Lagjja luksoze për serbët në veri ende pa banorë - Shtëpitë e shqiptarëve gërmadha - NACIONALE

Lagjja luksoze për serbët në veri ende pa banorë - Shtëpitë e shqiptarëve gërmadha

2 muaj më parë

nga Besian Beha

Më shumë se 14 milionë euro investim nga Qeveria e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, janë finalizuar në një lagje luksoze që tash e sa vjet njihet si ‘Lugina e Diellit’. Megjithatë, plani për kthimin e mbi 1 mijë e 500 serbëve të zhvendosur nga Kosova, ende nuk dihet nëse do të jetësohet. Edhe pse shtëpitë e ndërtesat në këtë lagje në Zveçan janë finalizuar, banorët serbë ende nuk janë vendosur.

Tash e dy vjet në vazhdimësi është raportuar se pritet të vendosen serbët në lagjen e njohur si ‘Lugina e Diellit’. Megjithatë një gjë e tillë deri më tash nuk ka ndodhur. Gazeta Nacionale ka qëndruar në zonën që hynë në komunën e Zveçanit.

Aty është vërejtur se ndërtimi i shtëpive dhe ndërtesave kolektive ka përfunduar. Ka mbetur vetëm edhe mbushja e këtyre shtëpive me moblije. Deri më tash, asnjë serb nuk është vendosur.

Hajdin Ibishi, përfaqësues i fshatit Suhodoll skaj kësaj zone ku është ndërtuar kjo lagje, ka thënë se serbët po kanë hezitime të vendosen në këtë pjesë. Ai tregon nga ku planifikohet që të vijnë këta serbë.

“Edhe këto janë ndërtime pa leje, edhe pse janë pas luftës kohën e fundit, por qeveritarët tanë nuk i kanë ndaluar. Janë për refugjatë prej Bosnës, Kroacisë. Këta s’po i ndalon kërkush, e neve po. Nuk i di arsyet, por me siguri edhe ata nuk janë të gatshëm për me ardhë këtu. Për më vonë te shohim”, ka thënë Ibishi për Nacionalen.

Ai ka treguar se ndërtimi i kësaj lagje, ua ka bërë të pamundur shqiptarëve të shfrytëzojnë pronat e veta.

“E kanë zënë rrugën me ndërtesa kolektive, banorëve tonë iu pengon me i punu tokat e tyre që janë në këtë pjesë dhe është problem i madh. Komplet kjo pjesë është pronë e shqiptarëve, dhe iu pamundësohet me punu sepse e kanë bllokuar me ndërtime. Jemi ankuar por kot, por nuk ka pas ndonjë reagim prej qeverisë ose ministrive”, deklaron më tutje Hajdin Ibishi nga Suhodolli.

Përfaqësuesi i këtij fshati ka thënë se për dallim nga serbët të cilët kanë ndërtuar lagje luksoze, shtëpitë e shqiptarëve kanë mbetur gërmadha.

“Banorët tonë nuk lejojnë me ndërtu shtëpitë në tokën e tyre dhe po nxjerrin probleme. Komuna ilegale e Veriut. Arsyet politikisht, nuk e kanë dëshirën që me ndërtu shqiptarët në tokat e tyre në pronat e tyre ose me i rindërtu shtëpitë e tyre. Janë të interesuar shumë (që të kthehen), por po iu shfaqen probleme prej komunës ilegale, ndërsa qeveria jonë ndihmën e kemi shumë të vogël ose hiç”, përfundoi Ibishi për Nacionalen.

Shqiptarët pa përkrahje

Fikret Tahiri është banor i ‘Kroit të Vitaku’ tash e disa vjet. Megjithatë, deri më tash ai ka jetuar me qira. Kur nisi ta ndërtonte shtëpinë në tokën e dhuruar nga familjarët, atij iu ndërpre puna.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ia ndaloi punën, me arsyetimin se ka probleme me pronësinë e tokës. E historia e Tahirit, është vetëm një prej shumë shqiptarëve që në këtë anë, po e kanë të pamundur t’i ndërtojnë shtëpitë.

“Këtë vend ma ka dhuru falas daja, fillova këtë shtëpi me maru para një muaje një muaj e gjysmë. Me 7 korrik ma kanë ndërpre. Me arsyetimin që duhet me rregullu dokumenta, me marrë leje, me qit në emër tem, për shkak se është tokë bujqësore sipas tyre, më thanë që është në grupën e parë, por kur e këqyra në jug është në grupin e pestë, pra bën edhe për bujqësi edhe për ndërtim”, nis rrëfimin e tij për Nacionalen shqiptari nga veriu.

“S’po ma lejojnë duhet me i nxjerr dokumentet, po i zhagitin dokumentat, që 1 muaj e gjys jam tu prit nuk ka kurgjë, jam me qira po duhet me lëshu vendin aty ku jam me qira, jam rast social, mu ka dashtë me bë zgjidhje dicka. Problemi është te këta që po na bllokojnë”, deklaroi më tutje Fikret Tahiri.

Ai tregon se ka pasur komunikim edhe me Mitrovicën e Jugut, por edhe me përfaqësuesit e shqiptarëve në Asamblenë e Mitrovicës së Veriut.

“Komuna e Jugut shkoj thotë nuk kem asnjë kompetencë, i ka kompetencat Veriu, nuk merren me neve. Kom folë kapak me asamblistat shqiptarë, kanë thënë se kemi me paraqit në Kuvend këtë problem se kemi këso probleme shumkë herë, te shohim cka munden me bo, sa vlenë fjala e tyre se edhe ata shqiptarë njëjtë si na”, deklaron më tutje për Nacionalen ai.

“Jo, nuk kam vazhdu më shumë. Mendjen e kam me vazhdu, sepse po zhagiten shumë, mu më duhet me kry punë sepse nuk kam shtek tjetër, shtek që paguaj qira nuk kam, duhet me ia lështu shtëpinë pronarit me qira, nuk kam qare pa e lëshu shtëpinë”, theksoi Fikret Tahiri.

Projekti milionësh ‘Lugina e Diellit’

Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.

Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë.

Vendbanimi ishte ndërtuar në vitin 2016. Në një sipërfaqe prej 15 hektarësh tokë janë 300 njësi banesore të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.

Është raportuar se projekti kap vlerën prej 14 milionë eurosh.

Për këtë çështje kohë më parë kishte folur ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Ajo çka ka ndodhur në veri, me aq sa kemi ne informacion, i bie që as me planet urbane të Serbisë nuk është... Pra, zhvillimi në Luginën e Diellit konsiderohet si ndërtim pa leje sa u përket institucioneve të Republikës së Kosovës, por nuk ka asnjë informacion që ekziston çfarëdo leje ndërtimore, respektivisht çfarëdo lloj plani hapësinor, që është respektuar për ndërtimin e tij. Prandaj, mund të themi se në tërësi është një veprim i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me çfarëdo ligji”, kishte thënë Aliu në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Për këtë çështje kishte komentuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një letër dërguar Komunës së Zveçanit, e cila e ka shpallur qytetar nderi më 14 korrik, ka thënë se “gjithçka që bëhet dhe ndërtohet, çdo gur në Luginën e Diellit është themeli ynë për të ardhmen në këto hapësira”.

Lajme të ngjashme