Agon Maliqi: Njohja formale nga Serbia nuk garanton ulëse në OKB
Politologu, Agon Maliqi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar rreth çështjes së dialogut Kosovë – Serbi.
Maliqi shkruan se njohja formale duhet të mbetet qëndrim zyrtar, mirëpo sipas tij ka gjëra më të kryesore pa të cilat nuk mund të ketë marrëveshje.
Shkrimi i plotë:
Njohja formale është zgjidhja më e qëndrueshme dhe duhet të mbetet qëndrim zyrtar. Por ajo mbetet më pak e rëndësishme se tre çështjet kryesore pa të cilat nuk mund të ketë marrëveshje: 1) funksionaliteti i shtetit; 2) garantimi i njohjes së plotë në Evropë dhe hapja e rrugës drejt anëtarësimit në NATO; 3) simetria e të drejtave të pakicave në Luginën e Preshevës. Insistimi me çdo kusht në njohje formale e shton peshën e kompromisit të brendshëm përtej asaj që mund të jetë e pranueshme, gjë që u provua në 2017-2020. Veç kësaj, në rrethanat e sotme, me këtë lloj Rusie, njohja formale nuk e garanton ulësen në OKB. Për Kosovën realisht më i rëndësishëm dhe urgjent se çkado tjetër është anëtarësimi në NATO si garancia më e fortë për të ardhmen.