Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dërguar mbi 200 raste në prokurori
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka bërë me dije se institucioni që drejton ai ka dërguar mbi 200 raste në prokurori.
Ai ka deklaruar se këto raste kanë të bëjnë më mos deklarim të saktë të pasurisë.
“Duke përfshirë edhe rastet të cilat janë transferuar nga viti i kaluar i kemi rreth 200 raste të cilat i kemi dërguar në Prokurori, për mos deklarimi të saktë apo mosdeklarim në kohë të pasurisë. Ndërsa sa i përket konflikti të interesit kemi një numër shumë më të vogël të këtyre rasteve janë më duket dy-tre raste, sepse shumica nga këto raste mund të evitohen, ligji e mundëson këtë do të thotë brenda 30 dite nga gjendja e konfliktit të interesit zyrtari i lartë mund të tërhiqet nga ajo gjendje”, ka deklaruar Buleshkaj për Ekonomia Online.
Ai ka treguar se 55 zyrtarë të lartë nuk e kanë deklaruar pasurinë këtë vit.
“Janë rreth 65 zyrtarë të lartë të cilët nuk e kanë deklaruar apo e kanë deklaruar me vonesë pasurinë këtë vit, do të thotë janë rreth dhjetë që fillimisht nuk e kanë deklaruar, por edhe shumica nga ta e kanë deklaruar më vonë por prapë se prapë janë kualifikuar për ti dërguar në prokurori si vepër penale”, është shprehur Buleshkaj.