Abdixhiku: Thirrjet e të moshuarës duhet të shërbejnë si zë zgjimi për institucionet shtetërore - NACIONALE

Abdixhiku: Thirrjet e të moshuarës duhet të shërbejnë si zë zgjimi për institucionet shtetërore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur i tronditur me videon e cila tregon dhunën ndaj një të moshuare në një shtëpi të pleqve në Pejë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se thirrjet e të moshuarës që s’kishte kush t’i dëgjonte duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucionet shtetëror.

“I shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar. Edhe më shumë nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune. Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo insitucion shtetëror sot. Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje - është përfundim i trishtë. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.

Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme