A e di përnjëmend shteti situatën e rëndë në Onkologjinë e QKUK-së?
Qindra persona po prisnin në korridorin e Klinikës së Onkologjisë në QKUK të mërkurën. Disa për të marrë shërbime, disa për të kryer kontrolle te mjekët e disa të tjerë - shoqërues të pacientëve që po qëndronin në Onkologji. Dhe, kjo krijoi një tollovi tjetër. Të kuptueshme. E megjithatë të papranueshme.
Mjekët nuk ishin në zyrat e tyre nga ora 10:00 e deri pak pas orës 11:00 të paradites. Të gjithë po qëndronin një kat më lart, në zyrë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e kishte zgjedhur ditën e mërkurë për ta vizituar këtë klinikë. E pacientët kishin një orë që po i prisnin mjekët, duke u krijuar kështu edhe tollovi në korridoret e kësaj klinike.

E me të dalë presidentja Osmani nga takimi me mjekët aty, puna nisi pak të normalizohej.
Sidoqoftë, në Onkologjinë e QKUK-së ka shumë probleme
Për një shërbim radiologjik për gruan, Haxhi Baliu nga fshati Likoc i Skënderajt është dashur që të presë për më shumë se një vit që këtë shërbim ta kryejë në Klinikën e Radiologjisë së QKUK-së.
Megjithatë, pritja për të ishte e pamundur, për shkak që, siç thotë ai, të natyrës së sëmundjes së gruas së tij.
Incizimin radiologjik ky person për gruan është detyruar që ta kryejë në një klinikë private me një kosto aspak të ulët.

Për Nacionalen, ky person i ka shpjeguar arsyet e këtij veprimi.
“Unë kam ardhë me e ba rentgenin e thellë për shoqen, ma kanë lënë terminin pas një viti, më 19 korrik 2023, edhe pse më kanë thanë që duhet me e heke anin e fëmijës. Në Prishtinë është e shtrirë që katër ditë. 190 euro më ka kushtu incizimi që e kam ba në spital privat për gruan, sepse nuk mundeshim me pritë. Duhet shteti me investu”, i tha Nacionales ky person.
13 vite pritje për një protezë të gjirit
Nga Suhareka kishte marrë rrugë herët në mëngjes. Vendarritja e saj ishte Prishtina. Një grua 71-vjeçare paraditen e së mërkurës u afrua në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së për të marrë një protezë të gjirit.

Në kushte anonimiteti, kjo grua ka treguar për Nacionalen se para 13 vjetëve, si pasojë e sëmundjes së kancerit të gjirit, është dashur që të intervenonte për ta hequr njërin gji.

“Një shoqe më ka tregu që sot jepen protezat për gji. Kam ardhë me dëshirë e vullnet shumë të madh për me ardhë sot me e marrë. Që 13 vjet jam në pritje të kësaj proteze. Shteti duhet të na e sigurojë, ne në Kosovë po jetojmë, me kushtet që i kemi. Edhe barnat zor që po mundemi me i ble”, i tha gazetës kjo 71-vjeçare.
Presidentja Vjosa Osmani e pa situatën në Onkologji
E në Onkologji, gjithë tollovinë e krijuar e pa edhe vetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Në këtë klinikë qëndroi disa orë.
Në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, Osmani shpërndau 100 proteza silikoni e 100 gjoksore, projekt i mbështetur nga Presidenca e Republikës së Kosovës, si dhe 100 paruke, donacion i Koalicioni K10 dhe i Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara UNFPA Kosova, zyra në Prishtinë.
Osmani kërkoi që të ndahet më shumë buxhet për shëndetësinë.
“E shfrytëzuam këtë bisedë për të diskutuar për nevojat që i ka kjo klinikë, në mënyrë që të përmirësohen kushtet për të gjithë pacientët, sepse kujdesi i stafit mjekësor është i jashtëzakonshëm. Në të njëjtën kohë, duhen kushte më të mira dhe për këtë po e bëjmë maksimumin që këto kërkesa të merren parasysh. Këta pacientë kanë nevojë edhe për përkrahje psikologjike, ku diskutuam edhe për rritjen e numrit psikolog klinik këtu, sepse kanë nevojë për mbështetje të madhe emocionale”, tha Osmani, teksa kërkoi që në buxhetin e vitit të ardhshëm të ndahet buxhet më i madh për shëndetësinë.

U.d. e drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, tha se çdo ditë po punojnë me intensitet për t’i mjekuar dhe trajtuar pacientët me sëmundje malinje.
“Muaji tetor është muaji që merr publicitet më të madh, por ne jemi në luftë çdo ditë për të parandaluar, por edhe për të mjekuar dhe trajtuar pacientët me sëmundje malinje”, tha ajo.
Nafije Latifi nga shoqata kosovare për luftën kundër kancerit të gjirit “Jeta/Vita”, e cila personalisht është përballur me këtë sëmundje, pati fjalë të mira për stafin shëndetësor, duke thënë se Onkologjia është rrëfim suksesi për shëndetësinë në vend.
“Ne si shoqatë jemi munduar që të arrijmë te secili pacient, fillimisht me formatin që të ketë kujdes për vete. Pikërisht Klinika e Onkologjisë është një storie e suksesit në shëndetësinë kosovare”, tha ajo./Nacionale.com/