A bëri mjaftueshëm Albin Kurti për të luftuar rritjen e çmimeve? 'Shpërthen' Viberi - NACIONALE

A bëri mjaftueshëm Albin Kurti për të luftuar rritjen e çmimeve? 'Shpërthen' Viberi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më në fund, Qeveria e Kosovës është mbledhur sot dhe ka vendosur që të pranojë realitetin e ri ekonomik të Kosovës që po godet një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës: rritjen e çmimeve dhe papunësinë. Kemi një Projektligj të ri, por edhe një diskutim të ri në komunitetin e Nacionales në Viber.

Dyqind mijë aplikimet për viza pune në katër muajt e parë të vitit 2022 nuk mjaftuan që t’i jepnin Qeverisë Kurti II një shuplakë këndellëse për perspektivën e munguar ekonomike për qytetarët e vendit.

Jemi më 20 korrik, dhe më në fund Qeveria ka vendosur që të bëjë një veprim, sado të vogël, për të sfiduar rritjen e çmimeve të papërballueshme për qytetarët. Kishim një mbledhje të Qeverisë, ku për fat pati edhe vendime të rëndësishme, e jo vetëm të tilla si ofrimi i një gote ujë nëpër kafeteri dhe restorante.

Rritja e çmimeve

Për fat të keq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk pati seriozitetin e duhur në fjalën e tij para vartësve.

“Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti,” – u shpreh z. Kurti.

Natyrisht të këtij viti?

Një pjesë shumë e madhe e ekonomive familjare janë goditur rëndë për shkak inflacionit të lartë, që në qershor u raportua nga ASK-ja të ketë shkuar deri në 14.1 për qind.

Kjo është tallje e kryeministrit nuk i drejtohet aq shumë ministrit përkatës sa të gjithë qytetarëve që e pësuan rëndë gjatë këtyre muajve.

“Çmimet kur janë të papërballueshme për qytetarët, do të duhej të kenë edhe një përgjigje nga ana e institucioneve”, tha më pas Kurti në një konferencë për shtyp.

Por, a ka bërë mjaftueshëm Qeveria Kurti II deri tash?

Për të mësuar më shumë, pyetëm gati 12 mijë lexuesit e Nacionales në Viber.

Deri tash, shenjat nuk janë hiç pozitive për Qeverinë e Kosovës, por rezultati edhe mund të përmbyset.

Projektligji

Nuk dihet nëse ky Projektligj do të mbrojë përnjëmend qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme.

Shënjestra janë “produktet bazë”, e të cilave Qeveria iu referohej nganjëherë edhe si “produkte themelore”.

Në lidhje me rregullat specifikisht, Nacionale do të ju mbajë të informuar edhe në vazhdim, por do të ju mbajë të informuar edhe për rezultatin e këtij sondazhi.

Për t'u bërë pjesë e grupit të Nacionales në Viber, ju ftojmë të klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme