4 vdekje tragjike, 24-orëshi i përgjakur i Kosovës
Katër vdekje tragjike kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë. Dy mërgimtarë nga Malisheva gjetën vdekjen në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Podujevë, ku të lënduar mbetën edhe fëmijët e tyre. Një burrë nga Deçani ka ndërruar jetë pasi u lëndua duke prerë dru, dhe një 42 vjeçar në Pejë ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese, e që dyshohet të ketë bërë vetëvrasje.
24 orët e fundit në Kosovë kanë qenë të përgjakshme, ku katër persona, dy prej tyre burrë e grua, kanë vdekur në mënyrë tragjike.
Vdekja e mërgimtarëve
Shemsedin Sopaj e Mirvete Sopaj nga Malisheva mbetën të vdekur mëngjesin e ditës së sotme, pasi vetura e tyre u aksidentua me një autobus në magjistralen Prishtinë-Podujevë.
Çifti që lanë pas vetës tre fëmijë, dy prej tyre të lënduar rëndë nga aksidenti, ishin nisur nga Sllovenia për në Kosovë, ku pritej t’i kalonin pushimet e verës.
Deri më tani, nuk dihen arsyet që sollën këtë aksident të rëndë, por sipas informacioneve të para, autobusi me të cilin u aksidentua vetura, ishte ndalur në rrugë për shkak të një defekti.
Ndërkaq, djali i çiftit tashmë të ndjerë, pritet që t’i nënshtrohet një operacioni, ndërsa vajza sot u është nënshtruar ekzaminimeve të tjera mjekësore.
Lidhur me gjendjen e tyre, për gazetën Nacionale ka folur edhe drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.
“Jemi duke e monitoru gjendjen e tyre shëndetësore. Ua kemi ba të gjitha analizat. Po presim t’i përsërisim disa. Gjendja e tyre është stabile për momentin, por e rëndë. Të dy këta ende po trajtohen në Klinikën Emergjente”, deklaroi për Nacionalen drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.
Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se aksidenti me pasoja fatale ka ndodhur rreth orës 04:40 në rrugën Prishtinë – Podujevë.
Nëna e Shemsedinit, tashmë i ndjerë, në një bisedë për Nacionalen, ka rrëfyer edhe historinë e dhimbshme të kësaj familjeje, e cila në luftë, ka humbur edhe një djalë tjetër.
"Hatri i qatyne fëmive unë kam me qëndru... U nisë pa gjumë prej Sllovenisë, tu punu. Fëmijët du me i afru. Du me ba gajret hatri i tyne”, kështu ka rrëfyer me pak fjalë për rastin e rëndë nëna e Shemsedin Sopajt, i cili, bashkë me gruan, Mirveten, vdiqën pas përfshirjes në një aksident trafiku derisa nga Sllovenia po vinin për në Kosovë.
“Hala 22 vjet e varrët e djalit tjetër s'i kem harru. Djali i madh m’u ka vra në luftë. Kur është vra ai, ky djali që u aksidentu (Shemsedini) pati bërtitë. ‘O vlla, më le vetë’, i pati thanë”, ka thënë kjo nënë për plagët shpirtërore që po i bart tash e shumë vjet.
“Me kanë që çohet, tash isha shku e kisha thanë: shpirtin tem merre, e këta lene. Du me ba gajret, qysh kom ba për të madhin”, ka thënë tutje ajo.
Dy viktima të tjera, njëri në Pejë, tjetri në Deçan
Një 42 vjeçar ka vdekur në orët e para të ditës së sotme në Pejë, pasi që i njëjti ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese.
Lidhur me rastin, detaje ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi.
“Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në Pejë. Jemi informu në ora 02:27 minuta dhe jemi përgjigjur menjëherë. Personi është dërguar në Emergjencë e më pas në Prishtinë. Tutje çështja i ka kaluar prokurorisë”, tha Gashi.
Ndërkohë, më herët sa i përket këtij rasti, në media është raportuar se personi në fjalë dyshohet të ketë kryer vetëvrasje.
Ndërkaq, një vdekje tjetër ka ndodhur në Komunën e Deçanit. Një burrë atje ka humbur jetën dje rreth orës 19:45 pasi u lëndua gjatë prerjes së drurëve në pyll.
“Deçan 28.07.2022 – 19:45. Një mashkull kosovar dyshohet se ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë pasi ka pësuar lëndime trupore gjatë prerjes së drurëve në pyll. Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
