35 për qind e njerëzve në Maqedoni duan me teshë e koteshë të largohen nga vendi
Më shumë se një e treta e popullatës së Maqedonisë së Veriut (35.2%) po e konsideron largimin nga vendi.
Këtë e ka bërë të ditur tash së fundmi Instituti për Kërkime Politike (IPIS), në Shkup, përmes një matje të opinionit publik
me 1033 respodentë.
Të dhënat e mbledhura nxjerrin në pah se interesimi më i madh për emigrim vërehet te moshat mes 30 dhe 30 vjeç që kanë të mbaruar shkollimin e lartë, ku gati çdo i dyti respondent po kërkon mundësi jashtë vendi.
Hulumtimi në fjalë ka renditur disa faktorë shtytës për këtë dukuri që po merr përpjestime të mëdha, ku pagat e ulëta përmenden si arsyeja kryesore (15.9%).
Faktorë të tjerë, sipas hulumtimit, janë edhe mundësitë më të mira për fëmijë, kujdesi më i mirë shëndetësor, cilësia më e mirë e arsimit si dhe infrastruktura më e mirë.
Gjermania vazhdon të jetë shënjestra kryesore e atyre që duan të largohen nga Maqedonia, me 11.8% të respodentëve që kanë shprehur parapëlqim për t’u shpërngulur atje. Kjo pasohet nga Zvicra (6.9 %) dhe Sllovenia (5.2%). Një numër më i vogël i konsiderojnë edhe vendet skandinave apo Shtetet e Bashkuara.
Gjetje të tjera të hulumtimit janë edhe këto: 10% e qytetarëve janë të sigurt se do të largohen jashtë shtetit për 5 vitet e ardhshme; kurse 64.9% kanë të afërm apo miq që tashmë kanë emigruar, kurse 70% besojnë se emigrimi është shtuar krahasuar me pesë vite me parë.
Prirje të ngjashme dolën edhe në Kosovë nga raporti i vjetshëm i Institutit GAP.
Nga matjet e bëra pati rezultuar se, pas liberalizimit të vizave, 28% e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18-vjeç planifikonin të emigrojnë.
Aty, gjithashtu, pati rezultuar se grupmosha nën 24 vjeç përbënte kategorinë më të prirur për të emigruar (33.4%).
Tutje, në raportin në fjalë ishte bërë me dije se destinacionet kryesore për emigrim ishin Gjermania (71,4%), Zvicra (11,7%) dhe Austria (5,3%).