Zyrtari i NATO-s: Në maj u lënduan 93 ushtarë, në shtator pati ngjarje të dhunshme – këto janë të papranueshme - NACIONALE

Zyrtari i NATO-s: Në maj u lënduan 93 ushtarë, në shtator pati ngjarje të dhunshme – këto janë të papranueshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse ushtarake të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano ka folur në lidhje me zhvillimet në veri gjatë vitit që lamë pas.

Ai në një intervistë për mediumin serb “Demostat”, ka përmedur dhunën e ushtruar ndaj forcave të KFOR-it, ku u lënduan 93 ushtarë.

Romano ka përmendur edhe sulmin e 24 shtatorit, duke thënë se ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe se autorët duhet të vihen para drejtësisë.

“Këtë maj, ka pasur dhunë kundër forcave paqeruajtëse të KFOR-it, ku janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, disa prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda. Në shtator pati ngjarje të reja të dhunshme. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet dhe autorët të vihen para drejtësisë. Në përgjigje të dhunës, NATO ka vendosur rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe njësi të blinduara në Kosovë. Kjo paraqet rritjen më të madhe të kontingjentit tonë në Kosovë në dhjetë vitet e fundit, që tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen.” – është shprehur ai.

Tutje, ai ka deklaruar që “një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin në rajon”.

“...për më shumë se dy dekada, paqja dhe stabiliteti në Kosovë kanë qenë prioritet për NATO-n. Mandati i Kombeve të Bashkuara për misionin tonë paqeruajtës KFOR, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, mbetet i pandryshuar. Ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për një mjedis të sigurt në Kosovë.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme