Zyrtarët publikë edhe këtë muaj do t`i marrin pagat pa shtesa - NACIONALE

Zyrtarët publikë edhe këtë muaj do t`i marrin pagat pa shtesa

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe dy muaj pas hyrjes në fuqi nuk po mund të zbatohet në tërësi Ligji për Paga në Sektorin Publik.

Zyrtarët publik edhe këtë muaj do t`i marrin pagat e tyre pa shtesat të cilat iu takojnë.

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se korrigjimi/përshtatja e të dhënave në sistem të pagave, do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët e ardhshme.

Sipas këtij njoftimi, sot do të disbursohen pagat e dyta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, por pa shtesa.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, në zbatim të Vendimit Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Thesarin e Shtetit/Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, ka vazhduar punën gjatë gjithë muajit mars në plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave të të punësuarve në funksion të zbatimit efektiv të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik (më tutje referuar si: Ligji) dhe Vendimit të Qeverisë Nr.04/128 të datës 16.02.2023”, është thënë në njoftimin e MPB-së.

Ministrit kanë treguar se komisionet përkatëse janë duke e bërë më të mirën e mundshme për përcaktimin e shtesave.

Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar, kanë mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës dhe shtesën për kushte tregu dhe janë duke i trajtuar të gjitha kërkesat. Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i trajtimit të të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt dhe mars do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit prill”, është thënë në njoftim, duke shtuar se gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, punonjësit që janë rekrutuar lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit.

Sipas njoftimi, këtë muaj është arritur që të përfshihen në listat për disbursim kompensimet e veçanta për stafin diplomatik të Republikës së Kosovës që shërbejnë në misionet diplomatike dhe konsullore.

Puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave. E shprehur në numër të kërkesave individuale, DMZP dhe Thesari, janë duke trajtuar një numër të madh kërkesash, prandaj, është shfaqur nevoja e përcaktimit të prioriteteve për shqyrtim sipas shkallës së urgjencës deri në këtë moment”, është thënë në njoftimin e MPB-së.

Lajme të ngjashme