Zyra e BE-së për hapjen e Urës së Ibrit: Vendimi për këtë duhet të merret në kuadër të dialogut
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë janë deklaruar rreth diskutimeve për hapjen e Urës së Ibrit.
Në një përgjigje për “Klan Kosova”, nga kjo zyrë kanë thënë se vendimi për këtë duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë.” – ka thënë një zëdhënëse e Zyrës.
Po ashtu, ajo ka ftuar palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor.” – u shpreh tutje ajo.
Pyetur në lidhje me këto raportime, zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se “policia është e gatshme të zbatojë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës”.