Zyra e BE në Kosovë: Mirëpresin vendimin e Qeverisë për heqjen e masave ndaj mallrave serbe - NACIONALE

Zyra e BE në Kosovë: Mirëpresin vendimin e Qeverisë për heqjen e masave ndaj mallrave serbe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e masave ndaj mallrave serbe.

Në një përgjigje për Nacionalen, nga Zyra e BE-së kanë thënë se tregtia e lirë, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Njerëzit dhe bizneset përfitojnë!” – thuhet në përgjigje.

Në lidhje me këtë, Kurti të hënën njoftoi se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka shkruar drejtorit të doganave.

Sot paradite ministri Sveçla i ka shkruar drejtorit të Doganave, që në njërën prej pikave kufitare me Serbinë, Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët, kur të vijnë skanerët, ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, derisa të mos vinë do ta hapim një pikë kufitare, e cila do të ketë kontrollin e shtuar, pasi masat tona janë të sigurisë. Në 7 ditët në vijim kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme: pasnesër mbledhja e CEFTA-s, e sot një javë, samiti i procesit të Berlinit, e ku presim të kalohet nga Cefta në CRM, Tregu i Përbashkët Rajonal.” – ka thënë ai.

Kosova u kushtëzua me heqjen e kësaj ndalese ose do të mbetej jashtë Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) si dhe do të pasonin dëmet sa i përket përfitimit në Fondin e Rritjes të BE-së.

Ambasada gjermane pati bërë të ditur ditë më herët për Nacionalen se janë afate strikte që Kosova duhet t’u përmbahet në lidhje me heqjen e mallrave serbe.

Reperkusione të do kishte ndaj Kosovës dhe sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, nismë kjo që ka për synim krijimin e një tregu të përbashkët rajonal që do të çonte në tregun e përbashkët të BE-së si pararendëse.

Lajme të ngjashme