Zulfaj kritikon e BE-në për masat ndaj Kosovës: Ndoshta duhet hetuar - NACIONALE

Zulfaj kritikon e BE-në për masat ndaj Kosovës: Ndoshta duhet hetuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, ka dhënë një intervistë në RTK, e cila është e mbushur me kritika ndaj Bashkimit Evropian, të cilat lehtësisht mund të cilësohen edhe si sulme direkte. Intervista e Zulfajt, vjen në ditën e përlasjejes virtual në mes zëdhënësit të Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, dhe atij të BE-së, Peter Stano.

Shënjestra e parë e Zulfajt ishte Stano, me të cilin fillimisht u pajtua, e pastaj ia shtroi një kërkesë. Sipas Zulfajt, BE-ja duhet t’i heqë sanksionet, një kërkesë tashmë zyrtare e Qeverisë së Kosovës. Në rast se nuk i heq ato, atëherë Zulfaj beson se “humbet kredibiliteti i BE-së”.

“Z.Stano e ka mirë që Qeveria e Kosovës s’vendos për heqjen, por z.Stano siç ka arritur me i vendos, do të duhej ta gjej mënyrën për me i heq, sepse humbet kredibiliteti i BE-së. Për çka janë ato masa, nëse z. Stano mund ta arsyetojë tashmë ekzistencën e atyre masave, por nëse s’mundet ai duhet të gjej shpjegime pse nuk po mund t’i heq, sepse janë futur me një proces absurd” – ka thënë Zulfaj.

Përtej kërkesës për heqjen e masave, Zulfaj ka bërë një deklarim të çuditshëm. Në botëkuptimin e Zulfajt, BE-ja do të duhej ndoshta të hetohej, për shkak se masat “janë kaluar pa debat”.

“Lehtësia me të cilën janë vendosur masat, do të duhej që ndoshta edhe të hetohej, në Bruksel, sepse janë kaluar pa debat. Një demokracie më të avancuar në rajonin e Ballkanin Perëndimor, t’i vendosen masa nga një vend siç është BE. Është e pamenduar mirë. Po të ishte menduar mirë, këto masa do të hiqeshin” – ka thënë Zulfaj në RTK.

Në fjalën e tij, Zulfaj vlerësoi se dialogu zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, duke komentuar kërkesat në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Gjithçka që ka të bëjë me dialogun në Bruksel, duhet ta diskutojmë në Bruksel dhe jo në Strasburg. Në Strasburg është Këshilli i Evropës, negociatat nuk kanë ndodhur asnjëherë në Strasburg, dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe është gabim të mendohet që të dërgohet atje” – tha Zulfaj.

Sjellim ndër mend që Zulfaj në disa raste ka pasur qëndrime të përçudshme. Madje, në një moment, Zulfaj e kishte kritikuar ShBA-në, duke e akuzuar se po punonte kundër strategjisë së saj për siguri kombëtare.

Lajme të ngjashme