ZRrE me deklarata kundërthënëse për shtrenjtimin e rrymës: Së pari përjashton, pastaj përfshin komunat veriore
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) paradite konfirmoi se rritja e re e çmimit të energjisë elektrike – 16.1% – nuk do të përfshinte katër komunat veriore të Kosovës. Megjithatë, deri në orët e mbrëmjes, e njëjta Zyrë publikoi një njoftim në Facebook tërësisht kundërthënës – e para thotë se veriu përjashtohet; e dyta thotë se veriu përfshihet.
Në një përgjigje për agjencinë KosovaPress, ZRrE deklaroi se rritja prej 16.1% e tarifave të energjisë elektrike nuk do të zbatohet në katër komunat veriore, të cilat aktualisht furnizohen nga kompania Elektrosever.
"Tarifat e miratuara nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) zbatohen nga Furnizuesi me Shërbim Universal duke filluar nga data 01 qershor 2025 në gjithë territorin ku ai operon. Nëse pyetja ka të bëjë me katër komunat veriore të vendit të cilat aktualisht furnizohen nga Elektrosever, atëherë këto tarifat nuk zbatohen në atë pjesë të territorit, për shkak se Elektrosever operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme" thuhet në përgjigjen me shkrim nga ZRRE-ja.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta në opinionin publik, duke nxitur indinjatë për faktin se qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës do të përballen me barrën e tarfiave të reja, të cilat i kundërshtuan me një sërë proteshtash.
Në mungesë shqetësuese të koherencës, ZRrE doli me një tjetër reagim pasdite, duke kontradiktuar versionin e vetëm disa orëve më parë.
Në postimin në Facebook, ZRrE pretendonse rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1 për qind “vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO.”
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever.
Rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO.
Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE.” – thuhet në njoftim.