ZRrE-ja për mundësinë e shtrenjtimit të rrymës: Çdo spekulim para vlerësimeve është i pavërtetë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka bërë të ditur se çdo vendim për shtrenjtimin e mundshëm të energjisë elektrike do të bazohet në një vlerësim të detajuar dhe konsultim publik. Deri atëherë, ZRrE-ja tha se “nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike.”
ZRrE konfirmoi se KOSTT, KEDS dhe KESCO, kanë dorëzuar kërkesat për, siç thuhet në njoftim, “përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energjisë (ZRRE), në përputhje me kërkesat ligjore.”
"Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sqaron edhe një herë opinionin publik se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energjisë (ZRRE), në përputhje me kërkesat ligjore. Aplikimet janë publikuar në faqen elektronike të ZRRE-së, ashtu siç janë pranuar, dhe mund të konsultohen nga publiku."
Sipas ZRRE-së, përgjigjja ndaj këtyre kërkesave do të bazohet në një vlerësim të detajuar të dokumenteve të dorëzuara.
Ky vlerësim do të pasohet nga një raport që do të publikohet për konsultim publik.
“Përgjigja e ZRRE-së ndaj këtyre aplikimeve do të bazohet në një vlerësim të detajuar të dokumenteve të dorëzuara. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE-ja do të hartojë dhe publikojë një raport për konsultim publik, ku do të përfshihen analizat dhe rekomandimet përkatëse. Ky raport do të jetë i disponueshëm për konsultim për një periudhë dyjavore, gjatë së cilës qytetarët dhe palët e interesuara mund të shprehin komentet dhe sugjerimet e tyre.” – thuhet në reagimin e ZRrE-së.
Pasi të mblidhen të gjitha komentet dhe sugjerimet nga periudha e konsultimit, ZRrE-ja tha se do do të përgatisë një vlerësim përfundimtar, që do t’i dorëzohet Bordit të ZRrE-së për miratim.
“Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm.
Deri në publikimin e raportit për konsultim publik, ZRRE-ja nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, para se të publikohet raporti i ZRRE-së për konsultim publik, është i pavërtetë, i paargumentuar dhe nuk duhet të merret parasysh.” – thuhet aty.