"Zhvatje": Fjalia e Kurtit që mund t’ju ketë ikur, pasi e hëngri darkën me Krasniqin
Bashkëbisedim me partitë tjera opozitare, paralajmëroi kryeministri Albin Kurti mbrëmë pas përfundimit të darkës mbi dy orëshe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurti tha pas përfundimit të kësaj darke, se nuk beson që ia vlejnë polemikat për datën e zgjedhjeve.
“Diskutimet, polemiket që i kemi me njëri tjetrin, nuk besoj që do të duhej të ishin për datën e zgjedhjeve”, tha ai.
Sqaruar më shkurt, kjo nënkupton që polemikat të mos jenë mes partive politike se në cilën ditë apo në cilën datë do të mbahen zgjedhjet.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim”, tha kryeministri Kurti.
Ai rekomandoi që ‘debati të jetë i rezervuar për fushatën zgjedhore’.
“Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve'
Por, teksa përfundoi deklaratën për gazetarët, Kurti lëshoi vetë një fjalë që është tipike polarizuese për fushatat elektorale - sidomos nga zoti Kurti: zhvatje.
“Prej këtu kam takim në zyrë tash, nuk po shkoj në shtëpi. Kam takim me Telekomin e Kosovës dhe ministren Artane Rizvanolli se si t’ia bëjmë që të zhvillohet edhe më shumë e të mos na dëmtojnë akterët e faktorët të cilët po përpiqen që ta vazhdojnë zhvatjen e dikurshme që e ka ndërpre menaxhmenti i ri”, tha ai.
Analisti Visar Ymeri, thotë në DebatPlus, se deklarata e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, pas darkës mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti, është problematike.
Sipas tij, kurdo që të shkohet në zgjedhje, partitë politike duhet të pozicionohen qartë se çka mendojnë për Draftin e Asociacionit.
“Kjo deklaratë në vete ma shkakton një shqetësim sepse nuk po du me e pa një fushatë elektorale që garojnë me e marrë pushtetin, mos me na kallxu cka kane me bo për qito dokumente që i kemi këtu dhe për të cilat për natë përlahemi dhe na e kanë hupë Këshillin e Evropës.
Qita që kanë me qeverisë nesër, duhet me na kallxu cka kanë me bo me qito dokumente e jo me na thanë se kjo nuk ka me qenë temë.
Le të dalin le të flasin për Asociacion, e le të kqyrim a kanë me marrë votën e qytetarëve. E jo me bo fushatë qysh kanë me e rritë ekonominë e pastaj me qeverisë me tema të ambasadave.
Secila prej tyre, duhet me tregu a kanë me cu këtë Draft në Kushtetuese, dicka kanë me bo, se tybe n’tu harroftë qai dokument”, thotë Ymeri./Nacionale/