Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të rregullt, KQZ fillon numërimin e votave
Procesi i votimit është mbyllur në ora 19:00. Pas mbylljes se vendvotimeve, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë me dije se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.
Në një konferencë për media, ai ka treguar se rezultatet preliminare do të dalin sonte.
“Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, sipas vlerësimeve preliminare, procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të rregullt. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit”, ka deklaruar Radoniqi.
Ai ka falënderuar institucionet që kanë qenë të angazhuara gjatë ditës së zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit.
“Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet e ndryshme për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si: Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, si dhe KEDS-in për trajtimin në kohë të shpejtë të rasteve të paraqitura”, është shprehur ai, duke treguar numrin e qytetarëve që kanë votuar gjatë ditës së sotme.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 712 mijë e 148 votues apo 36.33% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, ka thënë Radoniqi.
Ndërkohë, KQZ-ja ka filluar numërimin e votave për partitë politike.
Me 5 për qind të votave të numëruara në rezultatet preliminare, partia Vetëvendosje kryeson me 36.2% të votave. Partia Demokratike e Kosovës me 21.8%. Lidhja Demokratike e Kosovës me 16,26%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 10,08%.
Pas mbyllës se vendvotimeve, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas mbylljes së vendvotimeve.
Ai ka bërë me dije se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor.
“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike. Ju falemnderit për angazhimin dhe punë të mbarë në numërimin e çdo vote!”, ka shkruar ai.