Zgjedhje të reja, premtime të vjetra: Kurti i rikthehet programit që s'e realizoi gjatë një mandati të plotë
Zgjedhjet e reja në vend mbahen më 9 shkurt. Partitë politike kanë filluar ta shpalosin programet e tyre, bashkë me to premtimet kyçe për të cilat po zotohen para qytetarëve. Në një intervistë të Kyrministrit Kurti për Kosovapress, të mbajtur më 6 janar 2025, të krijohet përshtypja se të gjithë jemi rikthyer në kohë. Premtimet janë po ato të njejtat që po i njejti i kishte thënë me 6 janar të vitit 2021. Byroja, Fondi Sovran e Banka Zhvillimore.
“Duhet të themelojmë Fondin Sovran, së shpejti do të marrim dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese. Paralelisht edhe Bankën Zhvillimore, kjo është shtyllë e rëndësishme e reformës ekonomike. Na duhet Byroja për konfiskimin e Pasurisë, na e rrëzuan, e risollëm, sërish është në Kushtetuese. Edhe kjo Byro duhet të themelohet sivjet, ta kemi edhe Vettingun për gjyqësorin ashtu që kompetenca, integriteti e efikasiteti të jenë karakteristikë e sistemit tonë të drejtësisë”, tha kryeministri Kurti.
Kurti për këto premtime të ri-përsëritura për të cilat s’punoi ose thënë saktësisht punoi mbrapsht, pasi ligjet nuk i përpiloi bazuar në aktin më të lartë juridik e politik të vendit: Kushtetutën e Kosovës, vazdhon të mos ndihet përgjegjës për mosrealizimin e tyre.
Në të njejtën intervistë, ai deklaroi se nuk është përgjegjës për mosrealizimin e këtyre premtimve, duke arsyetuar se kishte pengesa.
Le të ndalemi veç te premtimi për “Byronë”.
Byroja
Më 26 qershor të vitit 2024 Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm tërësisht Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke gjetur kështu se katër nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e vendit.
Anipse Kurti tha se s’ndihet përgjegjës që gjatë qeverisjes së tij, kjo Byro nuk është funksionalizuar. Kështu po del të jetë veç deklarativisht, pasi vet ministria sponzorizuese e këtij ligji, ajo e Drejtësisë e cila udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, më 3 shtator ka bërë 4 ndryshimet për të adresuar pikërisht gjetjet e Gjykatës Kushtetuese.
Qe qysh e pranonte Haxhiu se e ndryshoi ligjin
Anipse gjatë fushatës zgjedhore LVV mund “t’a shesë” si pengesë Gjykatën Kushtetuese, kur i vie rasti te çështjet konkrete, siç është kjo me Byronë, ata dikur e kuptojnë se kanë shkruar ligje gabim.
Çështja e parë që është adresuar është retroaktiviteti i ligjit. Haxhiu thoshte se Kushtetuesja gjeti se shtrirja e gjatë kohore mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke i vendosur ato në një pozicion "të pamundësisë objektive për të siguruar prova që justifikojnë prejardhjen e pasurisë së tyre".
“Në këtë drejtim, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektive. Pra, si një element kyç procedural që ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të sigurojnë prova për shkak të kalimit të kohës apo të ndryshimit të rrethanave, faktorëve të ndryshëm”, tha Haxhiu, duke shtuar se një qasje e tillë garanton një proces më të drejtë për palët e përfshira në procedurën e konfiskimit.
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me qartësimin e periudhës kohore për verifikimin e pasurisë. Haxhiu për këtë thoshte se me ndryshimet, periudha e verifikimit do të lidhet vetëm me periudhën kohore kur një zyrtar publik ka qenë në funksion, duke lejuar që byroja të nisë verifikim e pasurisë vetëm në periudhën deri në pesë vjet pasi një zyrtar publik ka përfunduar ushtrimin e funksionit.
Ky ndryshim gjithashtu që mbron zyrtarët “nga hetimet e pafundme”.
Çështja e tretë e adresuar është ajo e Komisionit mbikëqyrës dhe ndarjes së pushteteve. Kushtetutuesja ka kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit. Ndryshimet e reja, sipas MD-së, kanë ristrukturuar përbërjen e komisionit, duke përfshirë tre anëtarë që do të zgjidhen nga Kuvendi, përfshirë drejtorin e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin e njësisë së inteligjencës artificiale.
“Sapo të kemi deklaratat e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, që ndërlidhen me deklaratën financiare dhe nëse ligji është në përputhje me acquis communautaire, ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime. Sipas njoftimeve që i kam nga kabineti, brenda javës do të kemi këto dy deklarata dhe menjëherë do ta procedojmë në Qeveri e më pas në Kuvend”, tha Haxhiu, duke kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë ligj kur të dërgohet në seancë plenare.
Ndryshe, njohës të shumtë të ligjit, edhe pas këtyre ndryshimeve e shohin vështirë të mundshme që ky ligj t’a kaloj testin e Gjykatës Kushtetuese.