Zërat që AAK-ja s'e kalon pragun, Tahiri: Qysh tash i kemi 50 mijë vota, hyjmë në Kuvend edhe pa asnjë votë më shumë
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj spekulimeve se kjo parti nuk do ta kalojë pragun zgjedhor. Ai ka deklaruar se AAK tashmë ka të siguruara rreth 50 mijë vota brenda Kosovës dhe se rezultati nuk varet nga votat e diasporës.
“Aleanca qysh tash i ka 50 mijë vota veç në Kosovë dhe, edhe nëse nuk merr asnjë votë nga diaspora ose nga votat me kusht, është pjesë e Kuvendit të ardhshëm me grupin e vet parlamentar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka shtuar se kjo deklaratë është një përgjigje për ata që, sipas tij, nuk janë të informuar mbi mbështetjen elektorale që ka AAK. “Veç thash t’ju kallxoj për ju që nuk e dini”, ka përfunduar Tahiri.