Zemërim në Indonezi, po testohet fillimi i mësimit në orën 5 e 30
Në mëngjese të hershme në një qytet të lindjes së largët të Indonezisë, adoleshentë të përgjumur mund të shihen duke ecur në mënyrë të paqëndrueshme rrugëve për në shkolla.
Këta nxënës janë përfshirë në një eksperiment kundërthënës për ta nisur ditën shumë më herët se zakonisht, raporton gazeta “The Guardian”.
Pilot-projekti në Kupang, kryeqytet i provincës Nusa Tenggara Lindore, përfshin nxënësit e klasës së dymbëdhjetë në dhjetë shkolla të mesme, të cilët duhet ta fillojnë mësimin në orën 5 e 30 minuta në mëngjes.
Autoritetet thonë se qëllimi i planit, i njoftuar muajin e kaluar nga guvernatori Viktor Laiskodat, është që ta fuqizojë disiplinën e fëmijëve. Megjithatë, sipas prindërve, fëmijët po dërrmohen, kur po kthehen në shtëpi. Mësimi në shkollat e Indonezisë fillon përgjithësisht nga ora 7 deri në orën 8.
“Është tepër e vështirë, ata tani duhet të dalin nga shtëpia përderisa është ende errësirë katran. Nuk mund ta pranoj këtë... siguria e tyre nuk është e garantuar, kur është errësirë dhe qetësi”- tha Rambu Ata, nënë e një nxënëse 16-vjeçare.
Vajza e saj, Eureka, tani duhet të zgjohet në orën 4 të mëngjesit për t’u bërë gati dhe për të shkuar në shkollë me motoçikletë.
“Tash, sa herë që arrin në shtëpi, është e dërrmuar dhe fle menjëherë”- tha Ata. Procesi mësimor në Indonezi zakonisht përfundon rreth orës 15 e 30 minuta.
“Kjo nuk ka lidhje me përpjekjen për ta përmirësuar cilësinë e arsimit”- tha Marsel Robot, ekspert i edukimit nga Universiteti “Nusa Cendana”.
Sipas tij, në aspektin afatgjatë, mungesa e gjumit mund ta rrezikojë shëndetin e nxënësve dhe të shkaktojë ndryshim të sjelljes.
Në një studim të Akademisë Amerikane të Pediatërve rekomandohet që nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulëta dhe të mesme të larta ta nisin mësimin në orën 8 e 30 ose më vonë në mënyrë që të kenë kohë për të fjetur.