Zelensky pritet të kërkojë më shumë armë e bisedime për anëtarësim në BE - NACIONALE

Zelensky pritet të kërkojë më shumë armë e bisedime për anëtarësim në BE

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymy Zelensky, po përgatitet që të kërkojë nga udhëheqësit evropianë të enjten në një samit në Bruksel më shumë armë në luftën kundër Rusisë dhe fillim të shpejtë të bisedimeve për anëtarësimin e vendit të tij në BE.

Përpos pjesëmarrjes në samitin e Bashkimit Evropian, Zelensky pritet që të mbajë fjalim edhe në Parlamentin Evropian gjatë vizitës në kryeqytetin belg.

Përderisa ka pak gjasa që udhëheqësi ukrainas të sigurojë premtime të menjëhershme për plotësimin e kërkesave të tij, vizita ia jep atij një mundësi për t’i paraqitur synimet fizikisht para udhëheqësve të 27 shteteve për herë të parë që nga fillimi i luftës para gati një viti.

Presidenti e nisi udhëtimin e dytë zyrtar jashtë vendit që nga nisja e luftës të mërkurën në Londër, ku siguroi një premtim nga kryeministri Rishi Sunak për trajnimin e pilotëve ukrainas për përdorimin e aeroplanëve të avancuar luftarakë të NATO-s, raporton agjencia “Reuters”.

Pastaj, ai u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Paris. Të dy udhëheqësit u zotuan për përkrahje të vazhdueshme ndaj Ukrainës, ndërsa Zelensky përsëri bëri thirrje për armë të avancuara.

“Franca dhe Gjermania e kanë potencialin për të qenë ndryshuese të lojës dhe kështu i shoh unë bisedimet tona sot. Sa më shpejt që marrim armë të rënda me rreze të gjatë dhe sa më shpejt që pilotët tanë marrin aeroplanë modernë... aq më shpejt do të parrë fund agresioni rus”- tha presidenti ukrainas.

Në një konferencë për gazetarë me Zelenskyn, kryeministri britanik tha se asgjë nuk është jashtë tavolinës, kur bëhen fjalë për furnizimin e Ukrainës me aeroplanë.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë refuzuar që t’i dhurojnë Ukrainës aeroplanë luftarakë F-16, pritet që në ditët e ardhshme të publikojnë një pako 2-milairdëshe të armëve, në të cilën do të përfshihen raketat me bomba që e dyfishojnë rrezen e armëve që janë dhuruar vitin e kaluar.

Ambasada e Rusisë në Britani e paralajmëroi Londrën që të mos dërgojë aeroplanë luftarakë në Ukrainë, duke thënë se një veprim i tillë do të kishte pasoja për tërë botën, raportoi agjencia e lajmeve, TASS.

Lajme të ngjashme