“Zëdhënësja” e ndërkombëtareve: Pas “yllit ndriques”, Gërvalla e përmend një çudi të partnerëve të Kosovës - NACIONALE

“Zëdhënësja” e ndërkombëtareve: Pas “yllit ndriques”, Gërvalla e përmend një çudi të partnerëve të Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk dihet cilat janë kritikat, por kryediplomatja Donika Gërvalla duket se po tenton që të paktën, fjalët e mira që sipas saj ia thonë partnerët ndërkombëtarë për Kosovën, t’i transmetojë te publiku. Pas deklaratës virale rreth “yllit ndriçues në demokraci”, ministrja ka folur edhe për një çudi të ndërkombëtarëve. Çfarë tha ajo?

Gjatë ditës së sotme, kryediplomatja Gërvalla mori pjesë në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të drejta të Njeriut. Aty të pranishëm ishin edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Gërvalla prej këtij organizimi përçoi disa fjalë ose më konkretisht, një habi që sipas saj e kanë ndërkombëtarët.

“Dua ta ndaj me ju një përshtypje që ma kanë shfaqur shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë vizituar Kosovës edhe veriun gjatë muajve të fundit, e të cilët kanë shprehur një farë habi se sa, jo vetëm të pranishëm por edhe sa të pranueshme janë institucionet tona të sigurisë në veri. Pritjet e tyre kur vinë në Kosovë janë që kanë një refuzim, që qytetarët serb të Kosovës e shohin pranin e institucioneve tona si të sigurisë dhe të drejtësisë si të pa dëshirueshme, ndërsa eksperienca që kanë këtë njerëz që kanë më veri është krejt e kundërta e asaj.” – u shpreh ajo.

“Ylli i ndritshëm në demokraci...”

Një prej deklaratave më komentuara të Gërvallës ishte ajo kur kishte treguar se një ministër i kishte thënë se “Kosova është yll i ndritshëm në rajon".

“Një homolog i imi nordik në një prej takimeve në thotë “you are the shining star of the democracy in the region”, që do të thotë “jeni yll i ndritshëm i demokracisë në rajon.” – kishte deklaruar ajo gjatë një paraqitje të rrallë në Kuvendin e Kosovës.

Tutje në fjalimin e saj, Gërvalla ishte shprehur si vijon: “Të pamunumërta janë bisedat me homologë të kontinenteve të ndryshme të cilët shprehin admirim për sukseset dhe për caktimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për shtet ligjor e demokraci të mirëfilltë”.

Pra kryediplomatja, pretendoi se shumë shtete po i adhurojnë institucionet e Kosovës.

“Asnjëherë Kosova nuk ka pasur kaq shumë vizita të ndërkombëtarëve, kurrë nuk kemi pasur kaq shumë miq të fortë, jo vetëm duke na treguar se çfarë duhet të bëjmë, bashkë me ne punojnë.” – tha ajo.

Ndërkohë, Nacionale kishte raportuar mbi këto deklarata edhe në tekstin e titulluar: Danezi, suedezi apo norvegjezi: Cili ministër i tha Gërvallës se Kosova është “yll i ndritshëm i demokracisë”?

Lajme të ngjashme