Zëdhënësja e BE-së për mbylljen e strukturave paralele: “Duhet të zgjidhen përmes dialogut”
Për çështjen e mbylljes së strukturave paralele serbe mbrëmë me urdhër qeveritar ka reaguar sërish Bashkimi Evropian, për çka zëdhënësja Anitta Hipper, tha se statusi i tyre duhet të zgjidhet përmes dialogut të fascilituar nga BE-ja.
“Ne gjithmonë kemi besuar në fuqinë e dialogut. Kjo është shumë e nevojshme. Kjo është arsyeja pse po i vendosim të gjitha përpjekjet në Dialog dhe pse po kërkojmë nga palët që të bëjnë një gjë të tillë. Ju keni parë reagimin tonë. Është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu në mënyrë konstruktive”, ka thënë Hipper.
BE dje e lidhi mbetjen në fuqi të sanksioneve ndaj Kosovës me veprimet e djeshme, për çka la të nënkuptojë se s’do të bëhet heqja në mënyrë graduale siç parashihej në Konkluzionet e Këshillit të BE-së të miratuara në dhjetor të 2024’ës.