Zbulohet deklarata e sotme e Nagip Krasniqit në gjyq: KEK-u e ka buxhetin e vet
Drejtori i KEK-ut i arrestuar ditën e djeshme nën dyshimin e kryerjes se veprave penale; Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Ushtrimi i ndikimit si dhe Konflikti i interesit, ka pasur paraqitjen e tij të parë para gjyqit.
Ndërsa është bërë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, gazeta Insajderi ka siguruar edhe deklaratën e Krasniqit të dhënë gjatë seancës.
Duke qenë se Prokuroria pretendon se Nagip Krasniqi ka lidhur kontrata të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke e përdorur pozitën e tij si kryeshef i KEK-ut, ky i fundit ka thënë se KEK-u e ka buxhetin e vet dhe s’ka të bëjë me buxhetin e shtetit.
“…e kuptoj kërkesën e prokurores, por thjeshtë më duket si një konstrukt, pasi që prokurorja i referohet buxhetit të Kosovës, ndërsa KEK-u e ka buxhetin e vet, dhe nuk ka të bëj me tatimpagues asgjë. Se në tërësi pajtohet me pretendimet e theksuara nga mbrojtësi i tij dhe e konsideroj veten të pafajshëm. KEK është e vetmja kompani që e furnizon Kosovën me energji elektrike në masë të madhe, mos ekzistimi i funksionit të kryeshefit, pezullon të gjitha aktivitetet,”- citohet të ketë thënë ai, nga gazeta Insajderi.
Tutje sipas medias në fjalë Krasniqi ka thënë se lidhjen e kontratës me “Litwin Sa” e ka bërë me qëllim që energjia elektrike të mos paguhej me çmim të lartë.
“Te rasti i riparimit emergjent të bllokut A5, është e drejtë e imja si kryeshef të marr vendime lidhur me kontratën edhe pse ka rekomandime të ndryshme nga komisioni të departamentit të prokurimit, përderisa nuk i shkaktoj dëm korporatës. Në rastin në fjalë, sikurse mos të nënshkruhej kjo kontratë, do të detyroheshim të importonim energji elektrike me çmime shumë të larta, dhe qëllimi ka qenë riparimi sa ma i shpejtë i kalldasë së bllokut A5,“- raportohet se ka deklaruar ai.
Ndërsa, dihet se dyshimet e Prokurorisë janë se i pandehuri, pra shefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi është marrë kundërligjshëm me shit-blerje të energjisë elektrike, me qëllim pasurimi.
“…ekzistojnë arsye të plota që nga veprimet e dyshuara të të pandehurit, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm i madh material kur kihet parasysh fakti se kemi të bëjmë me shitjen dhe blerjen e rrymës, problematikë kjo veç e njohur për tatim paguesit e shtetit tonë. Në anën tjetër, qëllimi final te këto vepra penale është përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete apo personin tjetër dhe shkaktimi i dëmit personit tjetër duke vepruar në kuadër të detyrave zyrtar,”- thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

