Xhavit Haliti: KFOR-i ka me negociu për lirimin e policëve, Kurti s'mund ta nxjerrë asnjërin
Xhavit Haliti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka qenë i ftuar në një emision në Kanal10, ku ka komentuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Z. Haliti ka deklaruar se për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia, do të ndërhyjë KFOR-i. Madje, ai ka thënë se do të jetë KFOR-i, ai që do të negociojë për lirimin e tyre.
“Unë e di siç e di edhe Kurti, Kurti s’mundet me nxjerr asnjërin. KFOR-i ka me negociu, KFOR-i ka me i nxjerrë dhe kanë me i sjell këndej kufirit dhe kanë me vazhdu punën e vet.” – deklaroi z. Haliti.
“‘Kidnapimi i tre policëve është akt terrorist i Serbisë, shkelje e Rezolutës 1244 sepse policia e ka kalu kufirin e Kosovës dhe ka kidnapuar policë brenda territorit të Kosovës. Ata po thonë se kanë qenë andej, bile Vuçiqi tha se kanë dal me mbledh kërpudha, në fakt ata kanë qenë të vendosur në një pozicion. Me pas ditë që është planifikuar një gjë të tillë s’i kishin zënë kaq të papërgatitur. E vërteta është se dronët serbë një natë para kanë fluturu në atë zonë duke hetuar kufirin, sa ka roje, gjitha këto. Një natë më herët e kanë përgatitur terrenin, kanë vepru si kundërpërgjigje ndaj veprime të Policisë së Kosovës, që ka arrest dy veta në veri, kriminelë të njohur.’’ - ka thënë ai në ‘’Prime Time’’.