Weber: Pa vullnetin e SHBA-së e BE-së s’ka marrëveshje, Lajçak po simulon dialogun
Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që tashmë ka shënuar mbi një dekadë, ka hyrë në një rrugë të paqartë pas përplasjeve në shtator rreth targave e stikerave. E zërat kritikë ndaj këtij dialogu janë shtuar edhe më shumë muajve të fundit.
Bodo Weber, një ekspert i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit të Berlin të Gjermanisë, beson se nuk ka ndonjë mundësi për përparim tutje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Beogradi.
Madje, ai thotë se sikur të kishte pak vullnet në qendrat vendimmarrëse në BE e SHBA, Miroslav Lajçak nuk do të zgjedhej si i dërguar i posaçëm i Brukselit për negociata ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
“Nëse do të kishte iniciativë dhe vullnet politik në nivelet më të larta në BE dhe SHBA, Lajçak nuk do të ishte zgjedhur në postin e tij aktual”, thotë Weber në një intervistë për portalin serb Kosovo Online.
Gazeta Nacionale ka përkthyer një pjesë të kësaj interviste, që prek çështje me interes për publikun kosovar.
“Është e vështirë të presësh ndonjë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Nevojitet urgjentisht një rivendosje thelbësore e negociatave. Kishte një shans vitin e kaluar, pra pas ardhjes së presidentit Biden në pushtet në SHBA dhe para largimit të kancelares gjermane Merkel, për diçka të tillë, por nuk u shfrytëzua. Dhe tani, këtë vit, kur kemi një qeveri të re gjermane që e ka shpallur Ballkanin Perëndimor prioritet, gjithçka dominohet nga agresioni rus, pra pushtimi i Ukrainës”, tha Weber, transmeton Nacionale.
Weber ka thënë se derisa nuk ka një marrëveshje mes të dy vendeve, tensionet në terren do të vazhdojnë.
Sipas njohësit gjerman, marrëdhëniet e brishta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndërmjet Prishtinës dhe serbëve kosovarë do të mbizëtrojnë ende. Ai paralajmëron se nëse vazhdon amullia e njëjtë, atëherë rritja e tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës do të mbeten pjesë e politikës së përditshme të të dyja vendeve.
I pyetur rreth performancës së Lajçakut si ndërmjetsues në dialog, Weber është shprehur se ai po simulon një dialog, nga i cili nuk mund të pritet diçka konkrete.
“Në mungesë të ndonjë nisme të rëndësishme politike në nivele më të larta në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, z. Lajçak nuk ka zgjidhje tjetër veçse të simulojë ekzistencën e dialogut politik. Përveç kësaj, nëse do të kishte pasur një iniciativë dhe vullnet të tillë politik në nivelet më të larta, zoti Lajçak nuk do të ishte zgjedhur në postin e tij aktual”, ka thënë ai.
Tutje, sa i përket mundësisë se njohjës së pavarësisë së Kosovës, ai ka thënë se vetëm një marrëveshje përfundimtare me Serbinë mund të rrisë mundësitë e njohjes universale të shtetit kosovar.
Gjithmonë ka qenë e qartë se rruga drejt njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e mbetura anëtare kalon përmes një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, ka theksuar ai.
Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç, nuk janë takuar që nga vera e vitit të kaluar. Megjithatë, shumë takime u realizuan ndërmjet dy grupeve negociatore ku u diskutua kryesisht vetëm çështja e targave, për të cilën ende nuk është gjetur një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.