“Vështirësia” për ta kuptuar Kurtin, Hovenier shpalos mëdyshjet e ndërkombëtarëve me kryeministrin
“Nuk po kam se si ta kuptoj...E kam të vështirë ta kuptoj pse...Jam i merakosur dhe i shqetësuar”.
Një pamundësi për të nxjerrë domethënien e qëndrimeve të Kurtit të kohëve të fundit e shoqëroi gjatë tërë një interviste mbrëmë në Klan Kosova, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Sikur dy plus dy që bëjnë katër, ambasadori i shtronte pyetjet e tij, por rezultati, me Kurtin, nuk i dilte njësoj. Me pyetjet e tij, ai pandehte se një numërator, diku, disi, nuk ishte në rregull.
Pyetja e shtruar mirë zakonisht të thotë më shumë se përgjigja
Çfarë pyeti ai?
Si bëhet që dëshiron anëtarësim në BE, Partneritet për Paqe, NATO, Këshill të Evropës, në mbarë strukturat euro-atlantike – dhe në të njëtjën kohë refuzon të gjitha kërkesat e tyre?
Kjo, përmbledhtazi, ishte e tërë habia e ambasadorit.
Pyetja e tij në fakt ishte edhe përgjigje e llojit të vet.
Shto kësaj, tha ai, që këto kërkesa po vinë prej mbaër shteteve trans-atlantike që e kanë interesim më të mirë të Kosovës, përzemër e ndërmend.
A s’është e habitshme?
“Pra, në thelb, konfigurimi i krejt institucioneve që i synon Kosova të anëtarësohet një ditë e që ne përzemërsisht duam t’i ndihmojmë, dhe miqtë e Kosovës që e mbështesin në këtë trajektore, krejt po i kërkojnë Kosovës këtë”, tha Hovenier.
E jo që s’ka përgjigje nga Kurti, tha ai, por as që pritet që të ketë.
“Nëse doni ato integrimet euroatlantike, ju gjithashtu duhet t’u përgjigjeni atyre institucioneve dhe vendimarrësve kyç në to. Dhe kjo më kthen aty që të them se jemi të habitur; se jemi të merakosur”.
Në fjali tejet të kujdeshme e të përzgjedhura me saktësi të diplomacisë së shtetit më të fuqishëm në botë, Hovenier pa që të diferencojë çka-në nga çka; derisa adresa e vetme e diskpreancës ShBA-Kosovë shënohej qeveria.
“Është rast mjaft i veçantë që një Qeveri nuk i përgjigjet pozitivisht këtij konstelacioni aktorësh, të gjithë prejt të cilëve e kanë interesin më të mirë të Kosovës ndërmend”, vaszhdonte ai.
Këtu ai u kthye një letre kohëve të fundit drejtuar presidentin amerikan, Joe Biden, nga plotë tetë senatorë: ndërsa përmbajtja e saj, tha ai, duhet të jetë shkas brengosje për të gjithë.
Këtu ai e lexoi një pasazh, sipas tij, më i rëndësishmi, për çka iu kthye prap Kurtit.
“Që (Qeveria e Kosovës) të dëshmojë se deri në ç’pikë është e gatshme t’u përgjigjet shteteve dhe institucioneve me të cilat është më e rreshtuara”.
Hovenier u kujdes që lajtmotiv në tërë intervistën e tij ta kishte atë se nuk po e thotë vetëm ShBA këtë – por i mbarë komuniteti trans-atlantik. I tërë komuniteti që e ka bërë Kosovën.
Andaj, habia e tij pësonte përmasa konstatimi.
Nuk ishte veç një pse që kërkonte përgjigje, por një PSE në kuptimin e thirrjes.

