VV kundër, opozita pro: A do të votohet tërheqja e Trust-it në Kuvend sot? - NACIONALE

VV kundër, opozita pro: A do të votohet tërheqja e Trust-it në Kuvend sot?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dita për diskutimin mbi tërheqjen e Trust-i në Kuvend tashmë ka arrdhur. Sot deputetët e Kuvendit do të flasin rreth tërheqjes së kursimeve pensionale, ku në fund do të votojnë në favor ose kundër një nisme të tillë, që u përkrah nga 17 mijë qytetarë në një peticion që u dorëzua në Kuvend. A do të kalojë projektligji mbi Trust-in, aq i kërkuar nga qytetarët?

Pushteti, pra LVV-ja, është kundër, ndërsa opozita (PDK, LDK e AAK) është në favor të lejimit të marrjes së kursimeve pensionale. Në fakt, brenda pushtetit, ka deputetë të përveçëm të cilët kanë dhënë sinjale se do ta votojnë nismën e Bekim Haxhiut të PDK-së, përfshirë edhe deputetë të LVV-së.

VV kundër…

Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në pushtet, e ka ndarë mendjen rreth çështjes së tërheqjes së Trust-it. Në një konferencë për media, ditë më parë, Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të LVV-së, e ka rithkesuar qëndrimin tashmë të çimentuar të VV-së kundër tërheqjes së kursimeve pensionale.

Në deklarimin e Kusari-Lilës, tërheqja e Trust-it ka efekt negativ për ekonominë.

“Qëndrimi i grupit të VV-së janë të qarta ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen nga Trusti, sepse konsiderojmë që në aspektin ekonomik do të këtë efekt negativ dhe afatgjatë në ekonomi.” - tha shefja e deputetëve të VV-së, transmeton Nacionale.

Ndërsa dy deputetë të pushtetit tashmë e kanë përsëritur qëndrimin në favor të projektligjit për lejimin e tërheqjes së kursimeve pensionale. Fatmir Humolli dhe Duda Balje, njëri deputet i VV-së e tjetra deputete boshnjake pjesë e koalicionit qeverisës, kanë qenë të qartë në qëndrimin në favor të kësaj iniciative ligjore.

“Unë nuk kam ndërruar qëndrim. Do të votoj pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti. “Sa humbin mjetet nëpër kompani ndërkombëtare, më mirë t`i marrin qytetarët.” - u shpreh ditë më parë Humolli.

Ndërsa Balje, në një prononcim për medie, theksoi se ajo do të votojë pro çështjes së Trustit.

“Mendoj se këtë herë Trusti ka ardhë në Kuvend në mënyra pak më ndryshe se herën e parë, kemi Trustin me nënshkrime të qytetarëve të cilët ata kanë vërtetu se kanë nevojë për ato mjete.” – tha Balje.

Opozita: PO, PO dhe PO.

Për dallim nga VV-ja, opozita është tërësisht në përkrahje të kësaj nisme. Tri partitë opozitare i kanë thënë tri “po” lejimit të tërheqjes së kursimeve pensionale. Në fakt, PDK ishte partia opozitare prapa krejt këtij procesi.

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së, ishte më i zëshmi në këtë çështje, duke e përkrahur në mënyrë aktive edhe peticionin që u nënshkrua nga 17 mijë qytetarë, e që iu dorëzua Kuvendit të Kosovës. Në një pronincim për media, Haxhiu tha se kushdo që nuk e voton Trust-in, u ka dalë kundër qytetarëve.

“Kësaj radhe mendojnë që punën më të madhe e kanë bërë qytetarët. Qytetarët u vetorganizuan dhe brenda 8 ditëve kanë mbledhur mbi 21 mijë nënshkrime. Kushdo që në parlament del kundër Trustit, është kundër kërkesës së qytetarëve, veçanërisht në këtë kohë të krizës së madhe. Për me keq, qytetarët janë detyruar të futen në borxhe për të kaluar krizën ekonomike.” – vlerësoi Haxhiu.

Ndërsa dje në mbrëmje, LDK u deklarua në favor të tërheqjes së Trust-it.

“Po kemi me votuar Trustin.” – u deklarua shkurt z. Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së. Tutje ai shtroi se qëndrimi politik i LDK-së është pjesëmarrja në seancë.

“Ata që do të jenë në gjendje me ardh do të jenë aty. Qëndrimi politik i LDK-së është me marr pjesë në seancë.” – u shpreh mbrëmë Gashi për Front Online.

Edhe deputeti tjetër i LDK-së, Kujtim Shala, që është nënkryetar i Kuvendit, e ka theksuar të njëjtën gjë.

“Ajo çështje do të jëtë nesër sërish në rendin e ditës, në thelb ekspertët tonë mendojnë se nuk është një praktikë e mirë. Por qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë tjetër dhe e ka bërë të domosdoshme tërheqjen e kursimeve, dhe LDK do të votoj për.” - tha Shala.

Edhe AAK është deklaruar në favor të kësaj nisme. Megjithatë, nuk dihet nëse opozita i ka votat për këtë çështje, pasi disa deputetë të pushtetit kanë refuzuar të tregojnë nëse do të votojnë lejimin e tërheqjes së Trust-it.

Lajme të ngjashme