VV-ja gjen shumë arsye për t’i thënë ‘jo’ Osmanit për presidente: Disa kandidatë të VV-së zotohen se nuk do ta votojnë
Lëvizja Vetëvendosje nuk e do Vjosa Osmanin për presidenten të shatë të Republikës. Kështu kanë bërë me dije disa kandidatë për deputet të partisë së Albin Kurtit.
Ata janë shprehur të habitur me pretendimet e Vjosa Osmanit për të qenë kandidate për presidente edhe pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pas publikimit të rezultateve preleminare, ata kanë gjetur disa arsye për të refuzuar Osmanin për presidente.
Në reagimet e tyre, ata kanë bërë me dije se renditja e DK-së si parti e tretë ka treguar se populli nuk e do atë për presidente.
Ndër të paret që i ka thënë “jo” Osmani ka qenë ish-deputeti Agim Bahtiri.
Derisa zyrtarët e VV-së festonin fitoren, ai ka bërë me dije se nuk do të ketë votë për Vjosa Osmanin.
Kurse, sot kandidatja për deputete e VV-së, Arbrëshë Kryeziu-Hyseni, ka vlerësuar se është irracionale që pas rezultatit të 7 qershorit Osmani ta pretendon këtë post.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se asnjëherë nuk do të voton Osmanin për presidente.
“Është irracionale dhe e habitshme se si zonja Osmani, pas gjithë këtij debakli politik, del e deklaron se patjetër duhet të jetë Presidente. I ke thënë qytetarëve se gëzon mbështetje gjithëpopullore, por populli foli ndryshe. Dole e treta dhe nuk e more pra mbështetjen që pretendoje. Në një situatë të tillë, minimumi do të ishte reflektimi dhe tërheqja, jo insistimi sikur gjithçka sillet rreth teje. Aq më tepër, kur jemi të vetëdijshëm që pikërisht për shkak të këtij insistimi tuajin, vendi u detyrua të shkonte në zgjedhje. Meqë po vazhdon të insistosh përkundër rezultatit, unë dua ta bëjë të qartë qëndrimin tim. Edhe nëse emri yt vjen për votim, nuk do ta kesh mbështetjen time në rast se do të jem prapë deputete në Kuvend”, ka shkruar ajo.
Edhe kandidatja e VV-së për deputete, Ardian Matoshi, ka dal kundër ambicies së Vjosa Osmanit.
Ajo ka paralajmëruar se nëse bëhet deputete nuk do ta votojë atë për presidente.
Në profilin e saj ka ironizuar me pretendimet e Osmanit.
“Kqyre pash ni Zot, del e treta, hup me temel, edhe hala pa u kry numerimet paska dal tu na thone qe duhet patjeter une Presidente. Qyqja une po n’zor kokshe. Meqenese je kaq ne zor, qe po e boj publike. Nese bohna deputete, une publikisht deklaroj qe NUK te votoj ty presidente. A e ki ma t’lehte tash?”, ka shkruar ajo.
Pas publikimi të rezultateve prelemianre, ish-presidentja Vjosa Osmani ka bërë me dije se VV-ja nuk e ka asnjë arsyeje për të mos e përkrahur kandidaturën e saj.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se partia e Albin Kurtit ka mijëra arsyeje për të mbështetur atë.
“LDK-ja e ka kandidaturën e vet, dhe siç e përmenda partia e parë nuk ka asnjë arsyeje te vetme që të thotë jo për këtë kandidaturë. Përkundrazi, ka mijëra arsyeje që të thotë ‘po”. Që të gjitha ato mijëra arsyeje janë në interes të shtetit të Kosovës”, ka thënë ajo.