VV-ja e përkrah Rilind Gërvallën, një deputet, disa asamblistë e aktivistë e pëlqejnë shkrimin e tij - NACIONALE

VV-ja e përkrah Rilind Gërvallën, një deputet, disa asamblistë e aktivistë e pëlqejnë shkrimin e tij

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit në RTK 1, ka shkruar dje një status, në të cilin përmes disa akrobacive gjuhësore e përkrahu publikimin e lajmit kundër Nacionales dhe Periskopit, i cili raportim u qaujt “kontravers” nga vetë Bordi i RTK-së, i cili ka njoftuar dy ditë më parë se kjo çështje do të hetohet përmes një komisioni.

Në shkrimin e tij, Gërvalla gënjeu duke pretenduar se nuk janë përmendur fare emrat e dy mediumeve të lartëcekura, pasi emrat e Nacionales dhe Periskopit u përmendën në portalin online të RTK-së. Madje, “screenshot”-in e këtij shkrimi e publikoi Salih Zyba, deputet i VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë, nuk e ka ndalur përkrahjen ndaj Gërvallës, që dikur ishte po ashtu pjesë e VV-së. Shumë aktivistë pëlqyen shkrimin e Gërvallës, që është një formë simbolike e përkrahjes dhe solidarizimit me qëndrimin e Gërvallës.

Të nisim nga “llajku” më i madh. Për shkak të funksionit që mban, “pëlqimi” i Valon Ramadanit, deputet i VV-së, është më i rëndësishmi. Nga Velipoja ku po qëndronte, deputeti i VV-së nga Ferizaji, pra Ramadani, e “trusi” opsionin “llajk” në Facebook për shkrimin e Gërvallës.

Megjithatë, nuk ishte i vetmi që zgjodhi këtë mënyrë përkrahjeje dhe solidarizimi. Valon Hoti, këshilltar i ministrit Liburn Aliu, hyri në vallen e “llajkuesve” të statusit të Gërvallës. Në të njëjtin rresht hyri edhe Enis Sulstarova, aktivist i shquar i VV-së nga Shqipëria, që kryeministri Albin Kurti e kishte quajtur “mik dhe profesor të tij”.

Mos t’i harrojmë edhe disa të tjerë “llajkatues” si p.sh. Edi Pruthi, shef i VV-së në Amerikë, Qëndrim Krasniqi, udhëheqës i VV-së në Britani të Madhe, Fahri Beqa, kryetar i VV-së në Gjermani dhe disa asamblist si Selam Sokoli, Majlinda Shabani dhe ish-drejtori i Shpejtim Bulliqit tash i shndërruar në diplomat të Kosovës, Pajtim Balaj.

Çka shkroi Gërvalla?

Në shkrimin e tij, Gërvalla, përveç që s’u distancua nga "lajmi" i ashtuquajtur “hulumtim”, ku mbarë teksti s’ka asnjë provë, fakt, të dhënë apo shifër objektive që do të mbante edhe më minimalisht një standard gazetarie, profesionale apo etike, e vlerësoi se Slobodna Bosna është “medium serioz”

“Vlerësimet profesionale për të botuar a jo lajme si këto s’janë asnjëherë të lehta. Meqë lajmi nuk është produkt i hetimeve vetjake, gazetari duhet të gjykojë për seriozitetin e medias që citohet. Aty do shtruar një sërë pyetjesh. A është anonim portal që citohet, apo ka redaksi profesionale me redaktor përgjegjës. Çfarë historie ka si medium. A ka vlerësime nga shoqatat e gazetarëve në vendin përkatës”, ka shkruar ai.

Pastaj, Gërvalla shkroi se RTK-ja kishte vetëm dy mundësi.

“Një ndër parimet bazë të gazetarisë është obligimi profesional e etik për të botuar lajmin pavarësisht prej pasojave, ajo që kolegët tanë gjermanë e quajnë “Konsekvensneutralitet”: detyra e gazetarit neutral nuk është që të ruajë prej pasojave personat që përmenden në lajme, por që të informojë publikun. Personat dhe mediumet në fjalë kanë patur çdo mundësi që të reagojnë në RTK, ata këtë e dinë se janë gazetarë me përvojë. Por kanë zgjedhur që të reagojnë në mediat e veta, e të ndjekin ligjërisht mediumin "Bosna e Lirë".

Kjo nuk mund të na ndalë ne do të raportojmë edhe për ato procese.

Dua të shtoj, në fund, se kur RTK përcolli lajmin në fjalë nga "Bosna e Lirë", ai kishte marrë dhenë. Pra, ishte komentuar e shpërndarë tashmë në rrjetet shoqërore. Në atë situatë, pasi gjykon për seriozitetin e medias së huaj, RTK-së i mbeten në parim veç dy mundësi. Ose ta heshtë lajmin, e të kritikohet mandej se po ushtron censurë, duke ulur besueshmërinë e institucionit në publik; e pra, kritika si këto kanë fundosur të gjithë transmetuesit publikë në regjion. Ose ta plasojë lajmin, e të ballafaqohet me kritikën e pritur” – ka shkruar Gërvalla.

Lajme të ngjashme