VV e shton praninë në Kaçanik, dje Konjufca e sot Kurti: A kanë parë ‘numra’ të mirë?
Pesë minutë rrugë qytet, që ia përshkon fundin me një shëtitje të shkurtër – është bërë vendvizitë e shpeshtë zgjedhore nga peshat më të rënda të Vetëvendosjes.
Kaçaniku, njëzet e pesë vite nën qeverisje të Partisë Demokratike të Kosovës, duket të jetë tash në një peshore më të nivelizuar votash me Vetëvendosjen.
Nga ‘numra’ që janë pëshpëritur në prapavijë–jozyrtarshëm–bilanci besohet të jetë me nga një të tretën e votës te të dyja: 30/30 dhe një gjysmë tridhjetëshi të pavendosur. Pjesa tjetër te të tjerët.
Këto ‘numra’ mund t’i ketë parë edhe Vetëvendosja...ndonëse sondazhet në zgjedhje lokale të kaluara, kanë qenë, në fjalët e një aktori të madh: “100% të sakta në 20% të kohës”.
Prishtina i ka përvjelur mëngët për t’i dërguar figura kyçe të partisë për të mbështetur, dhe shtuar autoritetin e apelimit zgjedhor të kandidatit të vet, Jeton Rakës.
Dje i dyti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca – sot i pari, Albin Kurti.
Dhe atë, tubime e vizita në fshatra e shtëpi, ku votat janë të pakëta – por, që mund të jenë vendimtare në një peshore ditë e më të barabartë.
Nga numrat e kaluar: Vetëvendosje është dyfishuar nga viti 2017 në vitin 2021
- 2017, Raundi i Parë: 2 mijë e 840 vota (18.71%)
- 2017, Raundi i Dytë: 5 mijë e 609 voa (45,27%)
- 2021, Raundi i Parë: 5 mijë e 311 vota (33.36%)
- 2021, Raundi i Dytë: 6 mijë e 304 vota (46,09%)
Partia Demokratike e Kosovës që për dy palë zgjedhje lokale radhazi e mund Vetëvendosjen me diç më shumë se 1 mijë vota: ka një predikament të vet.
Një trung tradicional zgjedhor i vet ka kapërcyer në një kandidat të pavarur.
Kjo besohet gjerësisht të shkaktojë një rrjedhje vote në dëm të vet dhe në favor të Vetëvendosjes, e cila mposhtet me, siç u tha më lart, me rreth 1 mijë vota.
Nga debatet televizive të kandidatëve dy proponentët për fitues: Sabedin Vishi i PDK-së dhe Jeton Raka i VV-së s’duket të mbivendoset njëri mbi tjetrin performativisht.
Njëri Nënkryetar i Komunës për 4 vite tjetri Zv/Ministër i Infrastrukturës: përballjen e kanë në fajhedhje të “bllokadave” dhe “neglizhanve”: që të dy palët me pushtet në duar për të kryer punë.