VV e bën atë që di më së miri, me kontratë të negociuar e mbyllë rrahjen me PDK-në
Ka përfunduar seanca në Gjykatën Themelore ku zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri Hekuran Murati e disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, u paraqiten në lidhje me rrahjes që kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës, para gati një viti.
Siç raportoi Nacionale nga seanca, palët janë pajtur që çështja të kryhet me negocim.
“Pas konsulitmit, jemi dakord që kjo çështje të kryhet me negocim." - ka thënë avokati i Besnik Bisimit, Florent Latifi, shkruan Nacionale.
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ministri i Financave, Hekuran Murati, janë shfaqur në seancë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ndërkohë, në seancë, zëvendëskryeministri Bislimi u paraqit si i dyshuar, ndërsa ministri Murati si viktimë.
Ndërkohë, sa i përket negocimit, kjo fjalë në Qeverinë Kurti është sinonim i njohur me kontrata njëburimore – me negocim.
Janë mbi 700 sosh, në vlerë mbi 200 milionë euro, që janë nënshkruar në këtë mandat qeverisës.
Duke qenë që seanca ku kishte shpërthyer rrahja mes deputetëve të PDK-së dhe VV, pyetja që kemi këtu, është se a ishte ky pajtim, pjesë e darkës në mes të Memli Krasniqit dhe Albin Kurtit.
Pikërisht kjo pyetje në fakt, iu shtrua deputeti Hajdar Beqa pas përfundimit të seancës.
“Nuk ka të bëjë asgjë me koalicion.” – u shpreh ai.
Si kishte ndodhur përleshja?
Derisa kryeministri Kurti po mbante fjalim, fillimisht, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e quante “rrenc”.
Më pas, njëra prej deputeteve vendosi një fotografi në foltoren e Kuvendit, ku shihej kryeministri me “hund të zgjatur”, që simbolizon gënjështrën.
Pas disa sekondave, letra u largua dhe u shqye nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Kjo e acaroi deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe më pas, përleshja eskaloi ku ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku dhe të tjerët që dolën aty.
Në pamjet në Kuvend, shihej se deputetët ishin përleshur me grushta, derisa kishte ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Kurti.