VV: 45 zyrtarë komunalë të Prishtinës kanë bërë vizitë turistike në qytetin e Lezhës
Lëvizja Vetëvendosje më saktë qendra në Prishtinë ka bërë të ditur se 45 zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë shkuar për vizitë në qytetin e Lezhës.
LVV dega në Prishtinë kanë thënë se kryetari, Përparim Rama nuk mund dhe nuk bën të shfrytëzojë kapacitetet zyrtare e bashkëpunimet ndërkomunale për promovime e udhëtime për vete e kabinetin e tij.
“Dyzetepesë (45) zyrtarë Komunal të Prishtinës, vizitë turistike në qytetin e Lezhës. Kështu u raportua sot në mjetet e informimit. Siç duket, Kryetari i Komunës vazhdon atë që di të bëjë mirë: udhëtimet. Në fillim të mandatit, para 1 viti, bashkë me kabinetin e tij ishin për një vizitë 2 ditore në Pejë e për gjatë gjithë vitit ai nuk i ndali udhëtimet e tij të shpeshta në Londër. Komunën e Lezhës e respektojmë dhe e vlerësojmë për bashkëpunimin e treguar ndër këto vite. Por, Kryetari Rama nuk mund dhe nuk bën të shfrytëzojë kapacitetet zyrtare e bashkëpunimet ndërkomunale për promovime e udhëtime për vete e kabinetin e tij.” – thuhet në njoftim.
VV tutje kanë thënë se në fillim të këtij viti, LDK dhe PDK kanë ulur buxhetin dhe përgjysmuar shujtat e ushqimit për personat me gjendje të rënduar financiare, por sipas tyre zyrtarët janë duke e vazhduar luksin për vete.
“Në fillim të këtij viti, ky Kryetar me kabinetin e tij nga LDK e PDK, ulën buxhetin dhe përgjysmuan shujtat e ushqimit për personat me gjendje të rënduar financiare, por siç po shihet luksin për vete e vazhduan njësoj. Pushteti nuk është i përhershëm, por dinjiteti po. Nuk duhet shfrytëzuar mundësitë që t’i jep pozita, për qejfe personale. Prishtina ka shumë probleme, por edhe Kryetari duket se ka shumë qejfe.” – thuhet tutje në shkrimin e VV-së.
