Vulini problem për Amerikën: Bashkëpunimi i SHBA-ve me BIA-n do të jetë "i ngrirë thellë" - NACIONALE

Vulini problem për Amerikën: Bashkëpunimi i SHBA-ve me BIA-n do të jetë "i ngrirë thellë"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediumi serb N1 raporton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pakënaqura me emërimin e Aleksandar Vulinit në krye të Agjencisë sekrete serbe (BIA).

Sipas këtyre raportimeve, autoritetet serbe po marrin sinjale se Uashingtoni nuk e ka parë me sy të mirë zgjedhjen e drejtorit të ri të BIA-së, Aleksandar Vulin.

Sipas burimeve të N1 , Beogradi zyrtar deri më tani ka marrë disa herë mesazhe të ngjashme diplomatike dhe e fundit ka ardhur nga ambasadori amerikan Christopher Hill gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme Ivica Daçiq të hënën më 9 janar.

N1 ka mësuar nga burime të sigurta diplomatike se ambasadori Hill i ka thënë Daçiqit se bashkëpunimi me BIA-n do të jetë “thellësisht i ngrirë” në periudhën e ardhshme dhe se pas bisedimeve në Uashington është konstatuar se "emërimet e personelit" në Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA) paraqesin një problem të madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, Hill tha se SHBA-të dëshirojnë të intensifikojnë bashkëpunimin me disa departamente të tjera të Qeverisë së Serbisë, përfshirë Ministrinë e Brendshme. Hill i tha Daçiqit se së shpejti do të organizonte vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratislava Gashiq në Uashington.

Kujtojmë se Gashiq ishte drejtor i BIA-s deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë, ndërsa si njeri i parë i agjencisë së inteligjencës e zëvendësoi Aleksandar Vulin, i cili është përkrahës i hapur i politikës ruse.

Lajme të ngjashme