Vuçiqi nesër me Kurtin “veç si gjoja vullnetmirë sa për të marrë fondet e BE-së” - NACIONALE

Vuçiqi nesër me Kurtin “veç si gjoja vullnetmirë sa për të marrë fondet e BE-së”

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Beogradi s’do të hiqte asnjëherë dorë “nga një shumë kaq e madhe parash” dhe se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “thjesht do të simulojë një lloj vullneti të mirë” në takimin e nesërm të Nivelit të Lartë në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “në mënyrë që të mos humbasë qasjen në ato fonde”.

Kështu vlerëson aktvistja e mirënjohur serbe e të drejtave të njeriut, Sonja Biserko, në një bisedë me Nacionalen, rreth takimit të parë pas nëntë muajsh në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiq; dhe atë, me zero pritshmëri sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, por në dritën e kushtëzimit evropian me “angazhim konstruktiv në dialog” për qasje në Fondin e Rritjes, përkatësisht fondit gjashtë miliardësh për Ballkanin Perëndimor, disbursimi i parë i të cilit supozohet të bëhet në fillim të korrikut.

“Sigurisht pakoja 6 milardëshe është serioze. Por, patjetër që mendoj se Vuçiqi kurrë s’do të hiqte dorë nga kjo shumë aq e madhe parash; që Serbinë do ta ndihmonte të shkonte tutje dhe mendoj se ai do të simulojë një lloj vullneti të mirë në dialog, dhe këtë në mënyrë që të mos humbet qasjen në këto fonde”, na tha Sonja Biserko.

Eksperti kroat i politikës së jashtme, Davor Gjenero, në dritën e takimit të nesërm po ashtu s'ka pritshmëri; por, në leximin e tij, ai thotë se “Vuçiqi është i bindur që koha po punon në të mirën e tij, prandaj edhe s’do të jetë i gatshëm për ndofarë zgjidhje kompromisi”.

“Mendoj se ësht në interesit e të dyja palëve të shtyjnë dialogun për më vonë. Është fakt që, deri sot, Kosova ka qenë në një pozicion të papriviligjuar, ngase dy negociatorët evropianë vinin nga vende mosnjohëse, dhe në Serbi ata besojnë që koha e tyre po vjen, për shkak të ndikimit të partive të djathta në Evropë dhe mundësisë që Trump t’i fitojë zgjedhjet. Në të vërtet ka fare pak hapësirë manovrimi mes ‘vijave të kuqe’ të definuara nga Kosova dhe regjimi në Serbi”, tha Gjenero për Nacionalen.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, vëren se takimi i thirrur për nesër në Bruksel “është veçse përpjekja e fundit lamtumirëse e Borrell-it” dhe atë, beson ajo, edhe “për të korriguar gabimet e veta” në raport me sanksionim e Kosovës.

“Është një përpjekje lamtumirëse e Borrell-it, po ashtu edhe raporti i tij (për Kosovën) ku kërkon heqjen e sanksioneve – që edhe ishte e padrejtë, sepse për Serbinë s’kishte sanksione – dhe, tash, po e korrigjon këtë gabim; ku edhe muajve të fundit provuan që ta bënin Kurtit të dorëzohej në disa gjëra, që s’e bëri, edhe që s’duhet ta bënte”.

Biserko, në vështrimin e saj, Beogradin e sheh në pritje të eventualitetit të ardhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Krejt këtu, sipas saj, janë të varura shpresat e Beogradit.

“Beogradi veçse po pret për disa ndryshime, veçanërisht në Uashington, duke pandehur se mund të kontribuojë në përmirësimin e aspiratave të saj në rajon; në kuptimin e rolit udhëheqës të saj në rajon; gjë që edhe pritet nëse Donald Trump vjen si President i ShBA-së. Pra, s’pres gjë para nëntorit... sepse Beogradi veçse sheh që ta shtyejë atë për më vonë dhe të pres ndërrime në kontekstin ndërkombëtar”.

Për ekspertin kroat të politikës së jashtme, Davor Gjenero, as Miroslav Lajçaku “nuk ka ndofarë aftësie për të sjellë energji të re në proces” teksa vëmendjen e ngreh te eventualiteti i ardhjes së kryeministres estoneze Kaia Kala në vend të Josep Borrell-it si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri; mandati i të cilit përfundon në dhjetor.

“EAS po pret nëse Zonja Kalas do të jetë Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, dhe Lajçak s’do të ketë autoritet për të udhëhequr dialogun”, përfundon Gjenero.

Lajme të ngjashme