“Vuçiqi më shan serbisht, ata e lënë”: Lajçaku shpjegon ‘situatat e nxehta’ brenda takimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit - NACIONALE

“Vuçiqi më shan serbisht, ata e lënë”: Lajçaku shpjegon ‘situatat e nxehta’ brenda takimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit

2 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Duart s’ua kemi parë kurrë duke i shtrënguar.

Sytë po, njëri-tjetrit, shtrembët, sikur biblikisht: sy për sy, dhëmbë për dhëmbë.

Tash e tri vjet, takimet në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit kanë atmosferë armiqësore përreth tyre që u qëndron në ajr.

Ulen për t’i normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve të tyre, por normalizimi i marrëdhënieve mes tyre është thuajse në sferën e të pamendueshmes.

Vuçiqi – si produkt i kriminelit famëkeq të luftës, Vojisllav Sheshel – dhe Kurti, si produkt i veprimtarit jetëgjatë të lirisë, Adem Demaçit – s’kanë se si të jenë më të papajtueshëm në ESENCË.

Por, por...ishte vetë mediatori i këtyre dy të kundërtave polare, Miroslav Lajçak, i cili kishte nisur të fliste për një “atmosferë të ndërsjellë respekti” mes tyre.

Jo miqësi, kujdesej të qartësonte ai, por “atmosferë respekti”.

E tëra kjo, megjithatë, u rrëzua sikur kështjellë prej zalli kur Kurti do të thoshte në “The Guardian” se në fakt Vuçiqi “më shan serbisht” brenda takimeve.

Për atë që Vuçiqi e shan jashtë takimeve e dimë: Njëherë madje e pati quajtur “llum terrorist” në një thirrje telefonike për Tv Pink ku kishte shpërthyer brutalisht ndaj Kurtit.

Por, çka ishte edhe më shqetësuese – Kurti shprehej se Lajçaku dhe Borrell-i kur Vuçiqi “e shan serbisht” nuk i reagojnë; por e lënë, të shajë.

Ai (Vuçiqi) më ofewndon dhe më shan në serbisht shumë shpesh gjatë këtyre dy viteve...U kam kërkuar ndërmjetësve ta ndërprejnë dhe dënojnë, por kjo nuk ndodhë kurrë”, pati thënë Kurti

Pse Vuçiqi po e shan dhe pse ata s’pe ndalojnë, saktësisht për këtë gjë e pyetëm ndërmjetësin Miroslav Lajçak në një intervistë me Nacionalen

Ky i fundit nuk e mohoi që po, situata tensionet mes tyre, dhe na thotë që u kërkojnë të flasin anglisht.

Nacionale e ka pyetur zotin Lajçak kështu: “Një apo dy herë keni folur për “atmosferë respekti” të krijuar mes Kurtit dhe Vuçiqit në takime. Megjithatë, Kurti duke folur për The Guardian tha se Vuçiq e kishte ofenduar dhe sharë serbisht brenda takimit dhe nuk u dëgjua asnjë reagim nga ju dhe nga zoti Borrell. A ishte vërtet kështu?”

Përgjigja e tij:

Miroslav Lajçak: Nuk do ta mohoj se ka raste kur situata është shumë e nxehtë, pasi që ne diskutojmë çështje që janë shumë të ndjeshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Por si rregull i përgjithshëm, si PL/ZP Borrell ashtu edhe unë ua rikujtojmë gjithmonë palëve se nuk i tolerojmë deklaratat fyese apo abuzive dhe se gjuha zyrtare e Dialogut është anglishtja. Para përfundimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, atmosfera u përmirësua dukshëm dhe patëm diskutime shumë të sinqerta, por edhe të mira. Sigurisht që edhe presidenti Vuçiq edhe kryeministri Kurti nuk i shohin gjërat njësoj, por kanë biseduar drejtpërdrejt me njëri-tjetrin dhe i kanë shpjeguar qëndrimet e tyre. Që nga incidentet e vitit të shkuar dhe krizat e vazhdueshme me të cilat u përballëm, fatkeqësisht atmosfera u përkeqësua sërish, çka nuk është e dobishme për normalizimin. Vetëkuptohet se është e pamundur të diskutohen çështje të ndjeshme të normalizimit në një atmosferë konfrontimi të vazhdueshëm.

Lajme të ngjashme